Pas letrës prekëse të Danielës 11-vjeçare, drejtuar emisionit investigativ “STOP”, ku kërkonte ndihmë për gjendjen në të cilën ndodhej ajo dhe familja e saj, ka patur mjaft reagime.

stop-1

Në letrën e saj, Daniela shkruante: 

“Përshëndetje xhaxhi Saimir. Jam Daniela, 11 vjeçe, në klasën e gjashtë në shkollën “Kasem Shima”, Mëzez. Kërkoj ndihmë në emisionin tuaj “STOP”. Jetoj me prindërit dhe me vëllain 17 vjeç. Jetoj në një barake në gjendje të mjerueshme, ku kam frikë të fle, se minjtë më vijnë te koka ose akrepat. Prindërit i kam me aftësi të kufizuara dhe nuk kanë mundësi të na i plotësojnë kushtet. Shpresoj që të vini dorën në zemër dhe të vini të na shikoni se ku jetojmë, pa drita 2 vjet.”

Të shumtë kanë qenë ata të cilët janë sensibilizuar me rastin e kësaj familje që jeton në kushte të mjerueshme, në një shtëpi të improvizuar me kartonë dhe që jeton në mëshirë të fatit.

stop-6

Një ndër kontribuesit është pastori Paulin Vilajeti i Qendrës së Krishterë Shqiptare i cili ka vendosur t’i dhurojë familjes për një vit, 10 mijë lekë të reja në muaj.

Një emigrant shqiptar ka dërguar 500 euro për familjen e Danielës.

Gjithashtu të shumtë kanë qenë ata të cilët çdo ditë kanë dërguar ushqime dhe veshëmbathje në banesën e tyre për të ndihmuar me sa mundësi kanë këtë familje.

pastori

Paulin Vilajeti:

“Pasi pashë rastin e Danielës 11-vjeçare, në fakt u prekëm jashtëzakonisht shumë edhe mundohemi që raste të tilla të kemi mundësi të ofrojmë ndihmën tonë. Kuptohet ne nuk mund ta shpëtojmë Shqipërinë nga varfëria por mund të bëjmë diçka dhe vendosëm që Danielës bashkë me familjen e saj për një vit t’I japim nga 10 mijë lekë të reja që në këtë mënyrë të kenë mundësi që të kapërcejnë një cik situatën në të cilën ata ndodhen. Uroj që edhe njerëz të tjerë në Shqipëri ta bëjnë një vepër të tillë. Varfëria është një mallkim edhe kur ne ndihmojmë që ajo të largohet, unë besoj që kemi bërë atë ç’ka Zoti thotë.”

daniela

Për mikrofonin e “STOP” prindërit e Danielës shprehën mirënjohjen e tyre për zemërgjerësinë e të gjithë atyre që kontribuan dhe dëgjuan thirrjen e vogëlushes së tyre për ndihmë./tvklan.al