Një sipërfaqe e madhe pyjore vijon të digjet prej disa ditësh në zonat e thella të Mirditës. Zjarri i rënë në fshatin Shëngjjn, njësia administrative Fan, është vënë nën kontroll dhe po mbahet në monitorim të vazhdueshëm nga forcat zjarrfikëse të Mirditës, banorët e zonës si dhe nga punonjës të shërbimit pyjor. Ata kanë krijuar një perimetër sigurie me qëllim mbrojtjen e banesave, por era po ua vështirëson punën në menaxhimin e situatës.

Ndërkohë një tjetër vatër zjarri ka rënë në zonën e Lajthizës, njësia administrative Orosh, ku nga raportimet në terren bëhet me dije se zjarri vazhdon të djegë masivin  e dendur pyjor. Në terren ndodhet edhe kryebashkiaku i Mirditës Albert Mëlyshi ku nga një komunikim me Klan News ka bërë me dije se situata është nën kontroll në fshatin Shëngjin por mbetet e vështirë në Lajthizë.

Si shkak i terrenit tejet të vështirë autoritetet lokale e kanë të pamundur menaxhimin e plotë të situatës ndaj kërkohet ndërhyrja nga ajri./tvklan.al