Kërkohen dëmshpërblimet dhe kontratat e punës

Zjarrfikësit grekë përdorin ujë me presion për të fikur zjarret, ndërsa në orët e fundit ishte policia e Athinës që përdori këtë metodë për t’i zbrapsur ata nga sheshi i protestës. Krahas zjarrfikësve, edhe qindra të pastrehë nga zjarret që pushtuan ishujt e Greqisë gjatë sezonit veror kanë protestuar në Athinë para selisë së parlamentit. Ata kanë kërkuar përshpejtimin e procedurave nga qeveria për dhënien e dëmshpërblimeve që këtyre banorëve u janë premtuar nga vetë kryeministri Mitsotaqis.

Policia u përlesh në Athinë edhe me zjarrfikësit protestues që kërkonin zbatimin e kontratave të punës pasi u përballën gjatë sezonit veror me zjarret masive anekënd Greqisë. Një zjarrfikës u plagos nga një granatë tymuese ndërsa pesë të tjerë u arrestuan. Policia hodhi gaz lotsjellës dhe ujë për të shpërndarë demonstruesit. Protestuesit, të veshur me uniformat e tyre të zjarrfikësve, bllokuan trafikun jashtë Ministrisë së Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile të sapokrijuar në veri të kryeqytetit. Organizatorët e protestës thanë se rreth 2,000 zjarrfikës kanë kontrata afatshkurtra, të rinovuara çdo pesë vjet ose më pak.

Zjarret masive këtë verë dogjën më shumë se 1000 kilometra katrorë pyje në ishullin Evia dhe në Greqinë jugore, ndërsa valët e të nxehtit përvëluan Evropën Juglindore.  

Klan News