Pendarovski kërkon mandatin e dytë përballë Davkovës, Osmanit dhe Taravarit

Partia e majtë në pushtet Lidhja Social Demokrate maqedonase në konventën partiake ka shpallur kandidaturën për mandatin e dytë të presidentit aktual Stevo Pendarovski. Lidhja Social Demokrate e kishte zgjedhur Pendarovskin si kandidat të saj për president para pesë vjetësh.

“Gjatë mandatit të dytë pres që të bëhemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian”, u shpreh Pendarovski.

Duke komentuar kërkesën e partive shqiptare që presidenti në të ardhmen të zgjidhet nga Kuvendi, Pandarovski tha se është kundër një kërkese të tillë, pasi zgjedhja e presidentit në Kuvend nuk do t’i jepte kreut të shtetit fuqinë që merr nga populli përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta.

Edhe partia opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, ka zyrtarizuar emrin e deputetes se saj Gordana Siljanovska Davkovën për kandidate të saj për zgjedhjet presidenciale më 24 prill në Maqedoninë e Veriut.

Përveç Pendarovskit dhe Davkoves Bujar Osmani, kandidat i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arben Taravari, kandidat i opozitës së bashkuar shqiptare kanë mbledhur 10 mijë nënshkrimet e nevojshme për të marrë pjesë në garën presidenciale maqedonase.

Afati i paraqitjes së kandidaturave për zgjedhjet presidenciale skadon më 8 Mars.

Zgjedhjet presidenciale në Maqedoninë e Veriut do të mbahen në dy raunde, i pari më 24 prill, ndërsa rundi i dytë do të mbahet së bashku me zgjedhjet parlamentare, më 8 Maj.

Klan News