Rama: Prestigjozja italiane flet për klimën, muzetë, arkitekturën

Prestigjiozja italiane “Vanity Fair” i ka kushtuar një artikull të gjatë Tiranës, duke renditur 10 arsye pse duhet t’i kaloni pushimet në kryeqytetin shqiptar.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale shkrimin e gazetares Francesca Masotti, të botuar në “Vanity Fair”.

Media e njohur italiane rendit 10 arsye pse duhet t’i kaloni pushimet në Tiranë, duke filluar nga afërsia me Italinë, klima mesdhetare, muzetë origjinalë dhe përzierja unike e arkitekturës.

Në artikullin e saj, Francesca Masotti e cilëson Tiranën, një qytet argëtues, të ri dhe me larmishmërinë gastronomike ndër më interesantet e Evropës Jugore.

“Janë të paktë kryeqytetet në Evropë, ku brenda pak metrash mund të gjesh një kishë katolike, një kishë ortodokse dhe një xhami, ku në krah të ndërtesave të epokës komuniste gjenden ndërtesa të stilit italian, bunkerë dhe struktura tipike të një stili brutalist. Tirana është një prej tyre”, sipas gazetares italiane.

Çmimet e lira dhe afërsia me qytetet bregdetare janë ndër arsyet e renditura duke e bërë të domosdoshme vizitën në kryeyeqytetin shqiptar.

Klan News