Pak ditë më parë, emisioni “Stop” transmetoi rastin e zonjës Dhimitrula Nasto, e cila pagoi 2 500 euro për 5 implante, njëri prej të cilëve, i ra. Edhe pse Urdhri i Stomatologut detyroi “Dental it” të bënte sërish punimin e zonjës, administratorja Eliona Xhindoli nuk e bëri një gjë të tillë, duke u përgjigjur me arrogancë.

Pas denoncimit të bërë nga zonja Dhimitrula rezultoi se dy doktorët italianë ishin të palicencuar pranë Urdhrit të Stomatologëve të Shqipërisë. Dhe automatikisht nuk merret në konsideratë denoncimi i Dhimitrulës.

Dhimitrula tregoi se ende vijon të vuajë problemin e saj, duke thënë:

“Urdhri i Stomatologut qenka kot fare! Nuk kemi kompetenca thonë e mbledhin supe”.

Ajo shtoi se iu drejtua edhe Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor, ku nuk e priti askush, ndërsa kryeinspektori Shkëlqim Hajdari i ka premtuar se do të merren masa.

Gazetarja e emisionit “Stop” iu drejtua sërish për këtë çështje Urdhrit të Stomatologut Shqiptar. Sekretarja e këtij institucioni tha se i kanë dërguar një shkresë informuese dhe denoncuese ISHSH-së, nga ku morën si përgjigje që klinika dentare “Dental it” është e pajisur me dokumentacionin e duhur.

Pra nga kjo nënkuptohet që kjo klinikë, ku ushtrojnë profesionin stomatologë të palicencuar nga vendet europiane, të cilët bëjnë mjekim të pakujdesshëm, nuk ka kryer asnjë shkelje.

Nga ana tjetër kreu i Urdhrit të Stomatologut, Nikollë Deda tha se ka gati shkresën për Ministrinë e Shëndetësisë për mbylljen e aktivitetit të “Dental it”.

Gazetarja – Si “Urdhër Stomatologu” , çfarë është bërë me ato dy stomatologët pa licencë?

Kryetari Nikollë Deda – 

Një herë ju falenderoj që jeni jashtë mase korrekt në deklaratat tuaja. Sinqerisht, jeni tepër korrekt! Edhe ai mesazhi që ka rrezatuar kudo.

Gazetarja – Dakord, zoti Nikollë! E di, për cfarë ka ardhur Odeta sot? Dua të interesohem, juve si “ Urdhër Stomatologu”, kush është…

Kryetari Nikollë Deda –

Ne do ia japim, tani ishim duke shkruajtur shkresën. I propozojmë direkt Ministres mbylljen e aktivitetit. Sa ta bëjmë shkresën, ta japim. Edhe një kopje jua japim ju.

Gazetarja – Tani, edhe diçka tjetër…

Kryetari Nikollë Deda –

Është masa më e rëndë që mund të jepet!

Denoncuesja u shpreh se dëshiron që të merren masa ndaj kësaj klinike dentare, pasi mund të ketë dhe shumë viktima të tjerë.

Ajo e shqetësuar kërkoi zgjidhje për problemin e saj, duke thënë:

“Po çfarë do bëhet me mua? Kush do merret me gojën time? Mirë me institucionet merren ata, po me mua?”./tvklan.al