“Bagazhi i fundit”, një operacion i Policisë së Tiranës, vuri në pranga punonjës të ngarkim-shkarkimit në Aeroportin e Rinasit. Denis Mbrati, 22 vjeç dhe Edison Rruga, 24 vjeç hapnin bagazhet e pasagjerëve dhe u vidhnin para e sende me vlerë. Dy punonjës të tjerë u proceduan në gjendje të lirë.

“Denis Mbrati dhe Edison Rruga, të dy të arrestuar për vjedhjen e bagazheve në Rinas, kanë pranuar përballë oficerëve të policisë se janë ata autorët e vjedhjes së 4500 eurove. Këta persona janë punësuar nga kompania Tirana International Aeroport, ndërsa policia ka dokumentuar edhe katër vjedhje të tjera të kryera prej tyre.

Sipas policisë, dy punonjësit e ngarkim-shkarkimit, gjatë muajve të fundit kishin kryer 5 vjedhje në bagazhet e pasagjerëve të ndryshëm. Hetimet e policisë nisën pas denoncimeve të disa prej tyre.

Vjedhja e parë ka ndodhur më 15 Prill, 6 ditë pasi Admir Murataj dhe 4 persona të tjerë grabitën 6.5 milionë euro që po transportoheshin me avion drejt Vienës. Për Policinë e Rinasit, ky fenomen ekziston prej kohësh. Ajo u ka drejtuar një shkresë kompanive ajrore, që të vendosin kamera portative brenda barkut të avionëve, ose bagazhet të ngarkohen në konteinerë, për të shmangur kontaktin me punonjësit.

Tv Klan