Hiqet gjendja e jashtëzakonshme në disa zona

Trazirat e dhunshme në Kazakistan sipas autoriteteve vendase kanë lënë pas 225 persona të vdekur nga të cilët 19 ishin oficerë të zbatimit të ligjit dhe personel ushtarak.

Në një konferencë për shtyp përfaqësuesi i prokurorit të shtetit Serik Shalabayev theksoi se mes të vrarëve kishte edhe banditë të armatosur që morën pjesë në sulme terroriste.

Sipas tij për fat të keq, edhe civilët u bënë viktima të akteve të terrorizmit. Në takimin me agjencitë e sigurisë dhe të zbatimit të ligjit presidenti Tokayev kërkoi që të shqyrtohen edhe më tej trazirat e fundit dhe të reformohet sistemi i sigurisë së vendit.

Protestat shpërthyen në disa qytete të Kazakistanit më 2 Janar për rritjen e çmimeve të karburantit.  Për disa ditë me radhë u zhvilluan trazira masive në qytetet e mëdha te vendit, duke përfshirë Almaty. Presidenti shpalli gjendjen e jashtëzakonshme e cila është hequr në 10 nga 17 qarqet e vendit, pasi situata u qetësua.

Klan News