Koronavirusi, 11 viktima në Itali

Koronavirusi, 11 viktima në Itali

18:37 25/02/2020

E përbashkëta e të gjithë personave që raportohet të kenë humbur jetën nga koronavirusi në Itali, është se janë të moshuar me probleme të tjera shëndetësore. Edhe 4 pacientët e tjerë që ndërruan jetë në Itali, orët e fundit ishin të moshuar, duke e çuar në 11 persona numrin e tyre në total.

Tashme që numri i të infektuarve ka arritur në 322 persona, paniku në vendin fqinj është në nivele të larta. Virusi ka mbërritur deri në jug në Siçili, ku numri i të prekurve ka arritur në 3.

Rritja me ritme të shpejta e numrit të të prekurve në Itali po ndikon edhe në përhapjen e mëtejshme nëpër Europë të koronavirusit. Një i ri, i cili kishte vizituar ditët e fundit Milanon, përbën tashmë rastin e parë të infektimit nga koronavirusi në Kroaci, siç pohoi Kryeministri i këtij vendi Andrej Plenkoviç. Dy raste të tjera janë konfirmuar edhe në Austri, të dy 24 vjeç, të cilët janë izoluar në spitalin e Insbrukut. Njëri prej tyre është nga rajoni italian i Lombardisë.

Një burrë rreth të 70-ve që kishte vizituar Milanon së fundmi, rezulton i infektuar në Zvicër. Një 35-vjeçare italiane që jeton në Barcelonë është e infektuara e radhës në Spanjë, që përbën edhe rastin e parë të infektimit në territorin kontinental të këtij vendi. Edhe ajo kishte vizituar Italinë ditët e fundit. Dy italianë rezultuan pozitiv në testet e koronavirusit në një hotel të futur tashmë në karantinë në ishujt Kanarie, ku analizave do t’u nënshtrohen rreth 1 mijë vizitorë që ndodhen aty.

Nga frika e përhapjes së koronavirusit, disa vende të rajonit si Serbia, Bosnja, Kroacia, por deri edhe Izraeli e Irlanda, kanë këshilluar shtetasit e tyre të mos udhëtojnë drejt Italisë.

Kompania ajrore ‘Bulgaria Air’ njoftoi anulimin e fluturimeve drejt Italisë deri më 27 Mars. Udhëtarët që kanë prerë biletat do të kompensohen. Ndërsa Kuvajti ka bllokuar të gjitha fluturimet drejt Italisë. Pas Kinës dhe Koresë së Jugut, Italia është vendi i tretë në botë nga numri i të prekurve. Edhe zv/ministri iranian i Shëndetësisë rezultoi pozitiv ndaj testeve të koronavirusit, pasi u shfaq në konferencë për shtyp duke fshirë djersët nga temperatura e lartë. Në këtë vend, kanë ndërruar jetë 16 të infektuar. Aktualisht numërohen 2704 viktima në gjithë globin, mbi 80 mijë të infektuar dhe afro 28 mijë të shëruar.

Tv Klan




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi