30 vjet burg për një vepër që nuk u provua dhe nuk u dëshmua kurrë (Video)

Posta

30 vjet burg për një vepër që nuk u provua dhe nuk u dëshmua kurrë (Video)

21:32 26/12/2018

Në 30 Korrik 2016, rreth orës 16:30 ndodhi një incident në afërsi të burgut të Vaqarrit. Një i burgosur u plagos me armë zjarri dhe prokuroria fajësoi për këtë 25-vjeçarin Ergys Kolaveri. Gjithë akuza u ngrit me arsyetimin se Kolaveri kishte ngatërrua objektiv, duke tentuar eliminimin e Gazmir Dacit, për t’u hakmarrë për vrasjen e të vëllait. Prindërit e Ergysit thonë se djali i tyre nuk ka lidhje me ngjarjen e megjithatë është dënuar me 30 vjet burgim për tentativë vrasjeje. “Stop” sjell pamjet e vendit ku ndodhej Ergys Kolaveri në kohën kur ndodhi incidenti pranë burgut të Vaqarrit. Eksperti kriminalistik, Artan Rexhepi bën eksperimentin për të shkuar nga aty ku shfaqet Ergysi e deri në burgun e Vaqarrit, por rezulton se i dënuari nuk mund të ndodhej aty në momentin e ngjarjes.

“Asnjë provë nuk kanë, vetëm kanë ardhur e kanë marrë. Kanë ardhur në 12 të natës këtu, e kanë marrë si huta pulën. E kemi për një verifikim thanë dhe do e lëshojmë. Prit se po vjen pas 4 orësh, nuk më erdhi djali”,

thotë babai i 25-vjeçarit.

“Kur ka dhënë 30 vjet ne kemi rënë përtokë atje. Unë nuk bëhem njeri më

“, thotë nëna e tij ndërsa shton: “

Vetëm kërkoj drejtësi. Është bërë gjyq i njëanshëm. Përse dëshmitarët e mi nuk pyeten? Sa herë kanë shkuar në prokurori, vetëm kanë ndenjur si kukulla aty”.

Ndërkohë ish-Ministri i Drejtësisë, juristi Ylli Manjani për mikrofonin e “Stop”, shprehet se ajo që është më shqetësuese sot në burgjet shqiptare është se

“më shumë se sa gjysma e personave që gjenden të izoluar, janë të paraburgosur, janë të pa dënuar nga gjykata dhe presin një dënim. dhe kjo në thelb e ka denatyruar sistemin e burgjeve. Burgu është shpikur për persona që i dënon gjykata. Kurse këtu është e kundërta. Këtu kemi më shumë të paraburgosur, më shumë që presin të dënohen, sesa të dënuar. Sistemi jonë i ndjekjes penale, është një sistem vetëgjyqësie. Sepse shteti të merr të fut brenda, me dyshime, me dyshim të arsyeshëm ti futesh brenda dhe pastaj rrugës të shohim, të gjejmë ndonjë provë. Në fakt e gjithë bota punon ndryshe”.

Të gjitha provat, faktet dhe alibitë që ka krijuar Prokuroria e Krimeve të Rënda, nuk e lidhin ngjarjen me Ergys Kolaverin.

Nga pamjet filmike të kamerave të një biznesi privat, në afërsi të burgut të Vaqarrit, u fiksua një furgon me ngjyrë të bardhë, ku në fillim u dyshua se ishte i Ergys Kolaverit. Por nga akti i ekspertimit doli që nuk ishte i njëjti furgon me atë të familjes Kolaveri. Nga provat që administron, Prokuroria e Krimeve të Rënda për këtë ngjarje, rezultojnë: Nga këqyrja që u bë në brendësi të mjetit, poshtë sediljes së pasagjerit, u gjendën një palë dylbi, një portofol një letër njoftimi një dorrzë përforcuese boksi.

Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se Ergys Kolaveri ka qëlluar me një snajper nga kodra afër burgut të Vaqarrit, në një largësi 155 metra. Por në trupin e Egys Kolaverit nuk janë gjetur faktorët plotësues të barutit.

“Biles në dijeninë time ka edhe një fakt, që mbase prokuroria nuk e ka marrë shumë në konsideratë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dy gëzhoja të armës së policit të rojes, në burgun e Vaqarrit, por nuk është gjetur predha. Tani të mos gjendet predha në një shesh të pastër, që është ai i ajrimit, është shumë pikëpyetje. Mendoj se prokuroria duhet t’i shkonte paralel me hetimin si të dyshuar shtetasin Ergys Kolaverin dhe hetimin qitje të pa vullnetshme të policit të rojes

“, shpjegon eksperti i Kriminalistikës, Artan Rexhepi.

Emisioni “Stop” shkoi në Kodër Kamëz, pikërisht në vendin ku eksperti privat, Artan Rexhepi fiksoi nëpërmjet kamerave të një biznesi privat Ergys Kolaverin. Pikërisht ky akt ekspertimi tregon me zë dhe figurë, por edhe shkencërisht se Ergysi nuk ka qenë në afërsi të burgut të Vaqarrit dhe nuk duhet të ishte akuzuar për tentativën e vrasjes me snajper.

Kolaveri është fiksuar në 3 kamera, atë të një lokali, pranë shtëpisë së tij, si dhe në një biznes pranë. Ngjarja për të cilën u dënua Ergys Kolaveri ndodhi rreth orës 16:30. Në orën 15:58 minuta, Ergys Kolaveri u filmua nga kamerat e sigurisë së një biznesi pranë shtëpisë.

Pyetja që ngre natyrshëm emisioni “Stop”, është:

A ka mundur Ergys Kolaveri të shkojë në shtëpi, të marrë armën e më pas të niset drejt burgut të Vaqarrit në një hark kohor prej rreth gjysmë ore?

Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se pikërisht nga kjo pikë, ajo e biznesit, Kolaveri ka shkuar në shtëpinë e tij, ka marrë snajperin dhe nga shtëpia është nisur drejt burgut të Vaqarrit për të vrarë hasmin.

“Stop” bëri një eksperiment, duke udhëtuar nga biznesi në fjalë për tek shtëpia e familjes Kolaveri, e më pas tek burgu, për të matur kohën që iu është dashur Kolaverit për të mbërritur në vendngjarje. Me makinë, gazetarit dhe ekspertit iu deshën rreth 51 minuta, që të shkonin nga shtëpia e Ergys Kolaverit tek burgu.

A ka mundur dot Ergysi që për 33 minuta të shkojë në shtëpi, të marrë armën dhe më pas të niset te burgu?

“Fakti më i rëndësishëm është koha që do njeriu për të realizuar qitjen dhe për t’u pozicionuar në vendin ku do ta realizojë. Çfarëdolloj skenari, edhe sikur t’ia kishin bërë me kronometër, t’ia kishin bërë vendin gati dhe të gjitha, do të kërkonte kohën e vet. Praktikisht është ngjarje e pamundur për t’u realizuar në këtë afat kohor”,

shpjegon eksperti Rexhepi.

/tvklan.al


Reklama
Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Reklama
UKT
Grupi
UKT