Me rastin e 30-vjetorit të krijimit, Gjykata Kushtetuese ka zhvilluar një ceremoni. Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha, u shpreh se trupa e gjyqtarëve reagoi me ritmin e duhur dhe me përkushtim për zgjidhjen në një kohë sa më të shkurtër të mosmarrëveshjeve pas situatës që ishte krijuar si pasojë e mungesës së kuorumit për një periudhë 3-vjeçare.

Tusha u shpreh se nuk kanë qenë të pakta rastet kur tensionet mëdha politike e shoqërore janë zhvendosur në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë ajo theksoi se gjykata ka kontribuar në zbutjen e përplasjeve ose ngërçeve institucionale.

“Situata që ishte krijuar për shkak të mungesës së kuorumit të vendimmarrjes për një periudhë thuajse 3-vjeçare, kjo trupë reagoi me ritmin e duhur dhe me përkushtim për zgjidhjen në një kohë sa më të shkurtër të mosmarrëveshjeve kushtetuese. Në këtë rrugëtim legjitimimi i Gjykatës Kushtetuese ka buruar nga vetë natyra e normave kushtetuese që ajo mbron dhe garanton si dhe nga shtrëngesa reale dhe logjike për garantimin e rendit në shtet dhe në shoqëri. Legjitimiteti është perceptuar si burimi kryesor i pushtetit të kësaj gjykate e cila nuk ka mjet tjetër për të siguruar zbatimin e vendimeve të saj, ndaj ajo nuk ka reshtur së përsërituri këtë detyrim kushtetues për të gjitha organet kushtetuese dhe autoritetet publike dhe gjykatat. I ka dhënë jetë parimit të shtetit të së drejtës dhe e ka trajtuar atë të lidhur ngushtë me konceptin e kushtetutshmërisë dhe parimit të epërsisë së Kushtetutës. Duke qenë se vendimet e saj kanë ndikim të drejtpërdrejtë në vendimmarrjet politike të organeve të pushtetit shtetëror si dhe në përcaktimin e mënyrës se si ato nuk duhet të veprojnë në raport me njëra-tjetrën jo në pak raste tensionet  mëdha politike e shoqërore janë zhvendosur në Gjykatën Kushtetuese. Jo rrallëherë retorika publike ka tentuar të përfshijë gjykatën në debate me ngjyrime politike nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen apo për të ndërhyrë në pavarësinë e saj. Duke e transformuar debatin politik në drejtësi kushtetuese, gjykata ka kontribuar në zbutjen e përplasjeve ose ngërçeve institucionale me qëllim respektimin e pavarësisë dhe ekuilibrave gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese nga organet e pushtetit ajo ka zhvilluar parimin e luajalitetit kushtetues të cilin Kushtetuta nuk e përmend në mënyrë të shprehur duke theksuar se përfshin procese që përmbajnë instrumente të tilla si marrja e mendimit, këshillimit, ose dhënia e pëlqimit si mekanizma eficentë për garantimin e tij”, u shpreh Tusha.

 Sipas saj vendimmarrja e kësaj gjykate i ka shërbyer korrektimit efektiv të kompetencave të pushtetit dhe organeve kushtetuese sa herë që kanë tentuar të çekuilibrohen.

“Hapja e negociatave me BE është një hap tjetër shumë i rëndësishëm në kuadër të procesit të integrimit në familjen europiane dhe sjell Shqipërinë më afër të drejtës së BE, normat e së cilës janë ndërtuar dhe bazohen mbi traditën e përbashkët kushtetuese të shteteve anëtare të saj. Në këtë drejtim dialogu mes gjykatave kushtetuese dhe veçanërisht me Gjykatën Europiane të Drejtësisë bën që të ndikohet reciprokisht në  vendimmarrje dhe të krijohet ajo që quajmë traditë e përbashkët europiane. Sot gjykata ecën e sigurtë mbi trasenë e shtruar pak nga pak, por solide të parimeve kushtetuese të shtetit të së drejtës me vullnetin për të zbatuar me konsistencë jurisprudencën e konsoliduar kushtetuese si dhe zhvillimin e saj në përputhje me standardet më të mira. Përmes vendimmarrjes ajo ka arritur jo vetëm të përcaktojë qartë pozicionin e saj në raport me organet e tjera të pushtetit, por të kontribuojë në edukimin e shoqërisë dhe institucioneve”, theksoi ajo./tvklan.al