14 protestues u arrestuan nga policia për veprime të dhunshme në tubimin e një dite më parë të opozitës. Në kërkim janë 7 persona , ndërsa 12 janë proceduar në gjendje të lirë, mes tyre edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi dhe ish-deputeti, njëherazi kryetari i PD-së së Fierit, Luan Baçi.

Policia thotë se ekspertët sekuestruan rreth 130 kapsolla të rrezikshme për jetën që u hodhën para parlamentit. Autorët e dhunës, sipas saj, u identifikuan nga analiza e pamjeve filmike si dhe provave të tjera të mbledhura nga grupi hetimor.

Në total 33 të proceduarit akuzohen për pjesëmarrje në tubim të paligjshëm, “goditje të punonjësve të policisë për shkak të detyrës”, “Prishje të rendit dhe qetësisë publike” dhe “përdorim të lëndëve plasëse”.

Por  Partia Demokratike thotë se ishte policia që ushtroi dhunë antiligjore ndaj protestuesve. Të shtunën  Partia Demokratike publikoi një video ku sipas saj punonjës të rendit të veshur si civilë sulmuan pa shkak djalin e kryetarit të Partisë Demokratike të Fierit.

Përmes një fotoje të shpërndarë për mediat, selia blu zbuloi edhe identitetin e punonjësit të policisë së veshur civil që sipas saj që qëlloi ndaj djalit të deputetit Baçi. Kreshnik Aliaj, sipas demokratëve, është operacionali i policisë që dhunoi ish-deputetin demokrat me të birin. 14 të arrestuarit nga policia në protestën e  16 Marsit pritet të njihen të hënën me masën e sigurisë.

Tv Klan