Edhe i plagosuri dyshohet si i përfshirë në ngjarje

Kanë qenë të paktën 4 personat e përfshirë në atentatin e ndodhur mbrëmjen e të shtunë në një hotel në Laç, në aksin Lezhë-Mamurras. Kështu rezulton nga kamerat e sigurisë që ka sekuestruar policia.

Burime nga grupi hetimor thonë se në pamjet filmike shihen 4 persona që hyjnë në ambientet e hotelit ku qëndronin Paulin Gjergji dhe Bujar Lika dhe qëllojnë në drejtim të tyre.

Ata mbanin të veshur uniforma policie dhe kanë hyrë në hotel duke bërtitur “mos lëvizni, policia”.

Këtë version kanë dhënë në dëshmitë e tyre edhe të afërmit e viktimave që kanë qenë në vendin e ngjarjes, në momentin e krimit.

Në momentin që ka ndodhur atentati edhe njeri prej viktimave u është përgjigjur me armë. Pistoleta e tij u gjet me karikatorin e zbrazur.  

Shënjestra e atentatit dyshohet se ka qenë biznesmeni 37-vjeçari Bujar Lika, i njohur si një person me precedent penale.

Në ambientet e Spitalit të Traumës po mbahet në masa të forta sigurie 21-vjeçari Kreshnik Tusha.

Ekspertët e policisë ende nuk e kanë të qartë rolin e tij në këtë ngjarje, pasi nuk kanë mundur të  administrojnë dëshminë për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore. 

Megjithatë, policia nuk e përjashton mundësinë e përfshirjes së tij në ngjarje. Po kështu po verifikohet edhe e kaluara e 53-vjeçarit Paulin Gjergji.

Tv Klan