Shkon në 880 totali i të infektuarve

Për të tretën ditë Shqipëria ka regjistruar vetëm 4 raste të reja me koronavirus. Për epidemiologët, situata konsiderohet e qëndrueshme dhe numri i rasteve pozitive i ulët.

“Në 24 orët të fundit janë testuar 246 qytetarë të dyshuar si të prekur me Covid-19. Vijon pozitiviteti i ulët nën 2%, në raport me testimet ditore. Në 24 orët e fundit, kanë rezultuar pozitivë 4 qytetarë, përkatësisht 2 në Berat dhe 2 në Tiranë, mes të cilave një grua shtatzënë”.

Numri i të shëruarve në 24 orët e fundit ka qenë më i lartë se i të infektuarve të rinj, duke e rritur edhe më shumë përqindjen e atyre që po e tejkalojnë me sukses koronavirusin.

“Deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 880 qytetarë, 78 % e të cilëve janë shëruar. Në të gjithë vendin aktualisht janë 161 persona aktivë me COVID-19, kryesisht në Tiranë, Krujë, Shkodër”.

Edhe në spitale numri i pacientëve vijon të jetë i ulët.

Aktualisht në dy spitalet COVID janë të shtruar 21 pacientë dhe vetëm 1 prej tyre është në terapi intensive.

Përgjatë 2 javëve të fundit në Shqipëri nuk është regjistruar asnjë fatalitet si pasojë e koronavirusit. Që prej fillimit të pandemisë 31 persona kanë humbur jetën.

Tv Klan