Bienalja Ndërkombëtare e Artit Bashkëkohor ka mbledhur në Durrës artistë nga mbarë bota, në edicionin e saj të parë. Kuratori Oltsien Gripshi e përshkroi këtë aktivitet si realizimin e një ëndrre të madhe, duke theksuar pjesëmarrjen e 40 artistëve nga 17 vende, përfshirë edhe Shqipërinë.

Oltsien Gripshi, organizator: Do jetë edicioni i parë, por do e pasojnë edicione të tjera. Me shumë risi, artistë, përfshirje të tjera ndërkombëtare dhe patjetër duke i dhënë qytetit një brand të ri çdo dy vite.

Në ceremoninë e hapjes, ku u shpërndanë edhe çmime, ishin të pranishëm ambasadorë, përfaqësues të institucioneve lokale, si dhe artdashës e intelektualë, përkrah artistëve që prezantuan veprat e tyre.

Tema e bienales, “Inteligjenca Artificiale dhe e Ardhmja Hibride”, u ofroi artistëve një mundësi të shkëlqyer për të shprehur talentin e tyre dhe për të përcjellë mesazhe domethënëse.

Rosa Mundi, përfaqësuese e Italisë, vlerësoi Durrësin dhe foli për lidhjen e saj të veçantë me Shqipërinë.

“Kjo është hera e parë që vij në Durrës. Gjyshi im nga nëna i përket familjes së Kastriotit, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Kështu që megjithëse nuk e kam njohur, është si një rikthim në shtëpi. Jam shumë e emocionuar sepse më kanë folur shumë në shtëpi. Ruaj ende këtë medalion që besoj se ka 7 shekuj. Kam marrë pjesë në shumë bienale. 3 herë në Venecia, në Qipro një vit më parë ku jam nderuar dhe me çmim. Kjo bienale është një event mjaft i rëndësishëm, ku artistët njihen me njëri-tjetrin, por edhe zbulohen qytete të rinj.”

Ekspozitat e Pavijoneve Kombëtare janë vendosur në disa nga institucionet më të rëndësishme dhe monumentet historike të Durrësit, si Amfiteatri Romak, Kulla Veneciane, Forumi Bizantin dhe Hamami Mesjetar. Kjo bienale, e para e këtij lloji në Shqipëri, do të qëndrojë e hapur deri më 24 nëntor.

Klan News