Kryeministri Edi Rama ka publikuar gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët një gjobë ndaj subjektit ndërtues të 4646 metrave katrorë pa leje në qendër të Tiranës që në Qershor. Por sipas tij, një gjykatës i “verbër” ndryshe nga çfarë e thotë ligji e ka rrëzuar atë.

Sipas Ramës, IKMT ka kallëzuar penalisht, subjekte ndërtuese, kryetarë bashkish dhe komunash, si dhe drejtorë të institucioneve të ndryshme për ndërtimet pa leje. Por dosjet ndaj tyre sipas tij i ka zënë myku pasi askush nuk ka shkuar para ligjit.

“Dje publikova një dokument i cili tregon se ndërtimi pa leje ose 4646 metra katrorë pa leje në qendër të Tiranës nuk janë aty si një zbulim i këtij momenti dhe është e pavërtetë që aty nuk ka pasur asnjë sy dhe asnjë veprim më parë. Publikova dokumentin e kallëzimit në prokurori të kompanisë ndërtuese. Tani po ju jap një dokument tjetër që është dënimi me gjobë sipas ligjit i kësaj kompanie për ato 4646 metra katrorë të ndërtuara për qëllim fitimi jashtë lejes së ndërtimit. Është një dënim me gjobë dhe gjoba është sipas ligjit për metër katrorë, e kemi përcaktuar vetë në ndërhyrjen e fundit ligjore që kemi bërë, shuma 160 e kusur milionë të reja plus të tjera. Që i bie shkurt muhabeti, 1.3 mln Dollarë. Kjo gjobë është vendosur në muajin Qershor. Urdhëroni tani se çfarë ka ndodhur! E çon në gjykatë gjobën dhe gjykatësi rrëzon shtetin. Një gjykatës i verbuar, unë besoj i verbuar nga paraja, por nuk jam nga ata që ngre akuza pa prova, por i verbuar totalisht dhe i padenjë fare i thotë shtetit “jo”. Ndërkohë që gjobën e ka ligji, nuk e ka Inspektorati. Inspektorati thjesht ka marrë sa është gjoba në ligj, me metrat katrorë dhe thotë zotëria do të paguaj gjobën dhe plus e ka çuar edhe në prokurori. Pra janë bërë të gjitha hapat. Ky ka qenë rasti që ka derdhur kupën dhe na detyruar ne që të futemi me vendimin e fundit të qeverisë për të vepruar në një mënyrë të tillë që të mos ketë mundësi të futet asnjë prokuror dhe gjykatës i korruptuar në mes. Sepse kemi pritur e kemi pritur. Po marr edhe një shembull tjetër se meqenëse po thonë që këtu nuk i sheh njeri, këtu të gjitha bëhen sepse ky i gjati etj., etj. Inspektorati Kombëtar ka kallëzuar penalisht në gjithë këtë periudhë 40 subjekte ndërtuese, 18 kryetarë bashkish dhe komunash, duke marrë parasysh periudhën kur kishte komuna, nga të cilët jo vetëm kryetar bashkish të palës tjetër, por edhe të PS-së. 12 Drejtorë urbanistike nëpër bashki, 25 kryeinspektorë të inspektorateve të mbrojtjes së territorit. 2 drejtorë rajonalë ALUIZN-i dhe 4 anëtarë këshillash rregullimesh territori. Janë këtu, me emra dhe mbiemra. Pyetja është sa nga këta kanë shkuar përpara ligjit? Asnjë! Të gjitha këto dosje i ka zënë myku nëpër prokurorira. Dakord”, tha Rama.

Rama: Kemi një vit nëpër gjykata për një pallat pa leje në një zonë turistike, nuk po arrijmë dot ekzekutimin e vendimit

Operacioni për konfiskimin e ndërtimeve dhe metrave katrorë pa leje do të shkojë deri në fund. Kështu u shpreh këtë të shtunë kryeministri Edi Rama. Kreu i qeverisë paralajmëroi të gjithë ndërtuesit që të mos ndërtojnë metra katrorë jashtë lejes pasi do t’u kushtojë shtrenjtë.

Sipas tij, në një zonë turistike është një pallat i tërë pa leje që qeveria prej një viti po përballet në gjykatë, por nuk po ekzekutohet vendimi.  

“Kam marrë përsipër së bashku me këtë qeveri këtë operacion që do të shkojë deri në fund. E kuptoj fare mirë që njerëzit nuk kanë besim ose që një pjesë shumë e madhe njerëzish mendojnë që këta janë të gjithë njësoj. Këta të gjithë e kanë mendjen tek leku etj. Ka një problem me lekun për mua, duhet të përkulem për ta marrë dhe unë nuk përkulem. Dakord! Kështu që çështja është shumë e thjeshtë. Kemi marrë një vendim tani për të kapërcyer gjithë këtë barrierë turpi që na kanë vendosur prokuroritë dhe gjykatat e rretheve gjyqësore. Është një pallat i tërë pa leje në një zonë turistike. Ka një vit që jemi bam e bum nëpër gjykata. Nuk po arrijmë dot të ekzekutojmë vendimin. Prandaj Ka ardhur momenti për t’i dhënë një mesazh të qartë parelinjve që ndërtojnë që çdo metër katror që do të ndërtoni jashtë lejes do t’i kushtojë aq shtrenjtë saqë do të jetë marrëzi t’i hyni më kësaj aventure. E kuptoni tani që vendimi i qeverisë nuk ka pasur dhe nuk ka asnjë lidhje me ndonjë lidhje të ndonjë procesi gjyqësor apo penal për ata që shkelin lejet e ndërtimit dhe që sipas ligjit duhet të ndiqen edhe penalisht. Penalisht në këtë botë dhe në këtë vend nuk i ndjek qeveria. I ndjek drejtësia. Lufta jonë për drejtësinë është titanike për ta pastruar këtë llum që është llumi i llumit nga ku gjeneron pastaj i gjithë llumi që ne ndeshim përditë gjatë rrugës së përbashkët”, tha Rama.

Ndërtimet pa leje, Rama: T’i japim goditje përfundimtare këtij fenomeni! Edhe Spanja e ka pasur këtë problem

Kryeministri Edi Rama u shpreh se ndërtimeve pa leje i duhet dhënë një goditje përfundimtare. Kreu i qeverisë theksoi gjatë një bashkëbisedimi online me qytetarët se ky fenomen është i shëmtuar dhe fyes. Kreu i qeverisë theksoi se sa i përket ndërtimeve pa leje qeveria e mori vendimin për konfiskimin e tyre pasi sistemi i drejtësisë nuk është akoma i pastruar tërësisht.

“Sot jemi në kushtet kur duhet t’i japim një goditje përfundimtare këtij fenomeni kaq të shëmtuar dhe kaq fyes. E përsëris prej disa vitesh, e përsëris në takimet me Policinë e Shtetit, me kryetarët e bashkisë, që është e pamundur që ne të vendosim në kontroll të plotë dhe të rreptë në territor kur vjen fjala për ata që ndërtojnë një avlli, një çati, apo qoftë edhe një dhomë, apo qoftë edhe dy dhoma, në fshatra të thellë dhe të vazhdojë të ketë shans për  parelinjtë dhe për biznesmenët e mëdhenj të këtij vendi që të hapen ndenjësesh dhe të bëjnë metra katrorë shtesë mes qyteteve apo në kryeqytet. Kjo është një luftë që nuk ndodh vetëm në Shqipëri. Spanja e ka pasur këtë problem deri jo shumë vite më parë. Çështja është si ti japim një goditje finale? Po ju them që kjo që kemi bërë me vendimin e qeverisë ka ardhur si rezultat i nxjerrjes ë një konkluzioni përfundimtar, bëj ligje sa  të duash, bëj kontrolle sa të duash, bëj denoncime sa të duash, për sa kohë ky sistem drejtësie në nivelin e prokurorive dhe gjykatave të rretheve gjyqësore nuk është akoma i pastruar tërësisht je i destinuar të llocësh dhe turpërohesh”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se që prej ditës së parë që kur ka hyrë në politikë ka filluar betejën kundër ndërtimeve pa leje./tvklan.al