Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në seancën e sotme publike miratoi sasinë e fletëve të votimit, të cilat do të prodhohen për çdo Qendër Votimi, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie, të datës 6 Mars 2022.

Për zgjedhjet e pjesshme që do të zhvillohen në bashkitë Shkodër, Durrës, Dibër, Vorë, Rrogozhinë, Lushnjë, duke u bazuar në numrin e zgjedhësve të vënë në dispozicion nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, shtuar 2 përqind të tyre, sipas përcaktimeve të Kodit Zgjedhor, do të prodhohen në total 667.629 fletë votimi.

Gjithashtu, Komisioneri caktoi partitë politike që do të propozojnë anëtarin e tretë dhe të katërt të Grupeve të Numërimit të Votave, për zgjedhjet e pjesshme për kryetar bashkie.

Partia politike e shumicës parlamentare që ka të drejtë të propozojë anëtarin e tretë të Grupeve të Numërimit të Votave është partia Socialiste e Shqipërisë. Partia e opozitës parlamentare që ka të drejtë të propozojë anëtarin e katërt të Grupeve të Numërimit të Votave është Lëvizja Socialiste për Integrim./tvklan.al