Dënime ekzemplare mund të quhen ato që ka dhënë Gjykata e Firences për një grup trafiku të kokainës dhe heroinës të drejtuar nga shqiptarë.

73 vite burg dha kjo gjykatë për 8 anëtarët e rrjetit, të gjithë shqiptarë që sipas autoriteteve drejtoheshin nga Shkëlzen Hasa dhe bashkëshortja e tij.

Operacioni i koduar “Pavarësia” për kapjen e tyre u finalizua në mars të 2017-ës. Banda kishte ndërtuar një rrjet të mirëfilltë të trafikut të drogës në Livorno, Pisa, Prato dhe Parma. Fillimisht në pranga u vunë 12 persona të cilëve iu sekuestruan edhe 53 kg heroinë, 3 kg kokainë si dhe rreth 31 mijë euro që dyshohet se ishin përfituar nga aktiviteti i paligjshëm. Dënimet e dhëna për çdo anëtar të bandës shkojnë nga 6 vjet e 8 muaj deri në 16 vjet burg. Nën sekuestro u vendosën 2 shtëpi, një aktivitet privat si dhe 6 automjete luksoze.

Tv Klan