1033 viktima për periudhën nga 6 Gushti deri në 24 Shtator

Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka publikuar analizën e të vaksinuarve nga rastet që kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, për periudhën nga 6 Gushti deri më 23 Shtator.

Sipas autoriteteve të shëndetësisë, persona të vaksinuar vlerësohen ata që kanë marrë dy doza dhe që kanë kaluar së paku 14 ditë nga rivaksinimi.

Sipas analizës së ISHP-së, gjatë periudhës nga 6 Gushti deri më 23 Shtator, 32.818 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, prej tyre 22% apo 7.248 persona kanë qenë tërësisht të vaksinuar. ISHP-ja thotë se është numri i madh i qytetarëve të pavaksinuar që janë infektuar me koronavirusin.

“Sipas statistikave për javët e kaluara, 25.570 qytetarë apo 78% e rasteve pozitive nuk kanë qenë të vaksinuar. 80% e të hospitalizuarve janë të pavaksinuar. Gjatë periudhës nga 6 Gushti deri më 23 Shtator, si pasojë e COVID-19 kanë ndërruar jetë 1.033 persona. 888 viktima nuk kanë qenë të vaksinuar, kurse vetëm 14% kanë marrë vaksina. Sipas analizave, pacientët e vaksinuar që kanë ndërruar jetë, kanë pasur më shumë sëmundje të kombinuara kronike”.

Pacientët kanë qenë të vaksinuar me të gjitha vaksinat që janë në dispozicion të vendit, por edhe me vaksina “Moderna” dhe “Johnson & Johnson”, të cilët pacientët i kanë marrë jashtë vendit.

Autoritetet e shëndetësisë sigurojnë se vaksinat janë të sigurta dhe bëjnë thirrje për vaksinim masive, pasi siç thonë, vetëm në këtë mënyrë do të arrihet imuniteti kolektiv.  

Klan Macedonia