Milloshoski: BDI nuk ka numër të mjaftueshëm të deputetëve për të pasur kryeministrin

Edhe përkundër faktit se ministra të VMRO – DPMNE-së, u zgjodhën në qeverinë teknike, kjo parti nuk votoi në seancën plenare. Antonio Milloshoski e arsyetoi vendimin e partisë, duke thënë se nuk është e ligjshme që pozitën e kryeministrit ta ketë një parti që nuk ka numrin më të madh të deputetëve.

“LSDM, PLD… partnerët besnik të BDI-së sot popullin maqedonas e bën qiraxhi në shtetin e vet dhe ju bën një duizim poshtërues të shtetit. Sot Kovaçevski dhe Mariçiçi e shitën lirë shtëpinë e LSDM-së dhe për kolltuqet e tyre dhe nga partia juaj bën varëse për BDI-në”, tha Antonio Milloshoski.

Darko Kaevski nga LSDM tha se, do të mbështesin qeverinë teknike, duke vënë interesin e shtetit në vend të parë.

“Së bashku me shumicën e deputetëve, së bashku me qytetarët nuk do të lejojmë të kenë sukses skenarët destruktiv të DPMNE-së. Në vitet e kaluara, LSDM tregoi se është parti demokratike e cila di të mbrojë zërin e qytetarëve dhe të drejtën e pacenueshme për shprehje të lirë të vullnetit të tyre”, tha Darko Kaevski.

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Elmi Aziri, duke komentuar vendimin e VMRO-së për të mos votuar qeverinë teknike vlerësoi se, sado i kamufluar dhe sado teknik arsyetimi, mosvotimi është për arsye të përkatësisë etnike të kryeministrit teknik.

“Do të ishte e plotë po qe se unanimisht, nga 120 deputetë do të votohej Talat Xhaferi për kryeministër, gjithmonë në përpjekje për përçuar mesazhin e pranimit të diversitetit, etnik, kulturor e gjuhësor. Përçoja 30-vjeçare e pluralizmit politik vlerësoj se është mjaftueshme që të dalim nga mënyra elementare e të bërit politikë”, tha Elmi Aziri.

Edhe deputeti Skënder Rexhepi vlerësoi se simbolika e kryeministrit shqiptar ka një peshë të madhe.

“Kjo simbolikë e kryeministrit shqiptar, 100 ditë janë shumë, janë mjaft për të qenë dëshmi se ne do të jemi pjesë e historisë, ku një shqiptar i barabartë do të shërbejë gjithë qytetarëve, pa dallim përkatësisë së tyre nacionale apo fetare”, tha Skënder Rexhepi.

Ndërkaq, Lidhja Evropiane për Ndryshim nuk mori pjesë në seancë, si pasojë e bojkotit të tyre për shkak të mospërmbushjes së kërkesës së tyre që të zgjidhet kandidati i tyre për anëtar në KSZH.

Klan Maqedonia