Kalojnë 946 propozime nga 3648 që propozoi baza

Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve pranë Partisë Demokratike ka përfunduar fazën e parë të verifikimit të emrave që mund të jenë në garë për një mandat deputeti në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm.

Selia blu njoftoi se në përfundim të kësaj faze nga 3648 kandidatë të propozuar nga anëtarësia janë ftuar 946 kandidatë që të plotësojnë Formularin e Vetëdeklarimit për figurën dhe integritetin.

Selia blu thotë se procesi i përzgjedhjes në këtë fazë ka qenë kompleks dhe i vështirë, për shkak të numrit të lartë të kandidaturave të propozuara nga anëtarët e partisë.

Komisioni vlerësimit të kandidatëve thotë se një pjesë e emrave të propozuar edhe pse i përmbushnin kriteret janë lënë jashtë listës përfundimtare për shkak të një limitit që ishte përcaktuar për çdo degë, nevojës për ruajtjen e kuotave të përfaqësimit gjinor apo të rinisë.

Demokratët thonë se emrat e papërfshirë i janë përcjellë Sekretariatit të Burimeve Njerëzore të Partisë për t’u përfshirë në databazën e burimeve qeverisëse të kësaj force kur ajo të vijë në pushtet.

Kjo listë do përdoret për përfaqësimin e Partisë në nivelet ekzekutive politike, në detyra shtetërore si funksionarë politikë apo nëpunës shtetëror të nivelit drejtues, apo si përfaqësues në këshillat lokale.

Fazës së dytë të verifikimit, që lidhet me figurën dhe integritetin, do ti nënshtrohen kandidatët që do të plotësojnë Formularin e Vetëdeklarimit. Qarku i Kukësit deri tani ka 24 kandidatë, në Dibër janë përzgjedhur 26, në Berat 36 emra, Gjirokastra ka 37, Lezha 56, Korça 66 kandidatë ndërsa Shkodra 67 emra.

Në Vlorë janë përzgjedhur 79 kandidatë, në Durrës 94 në Fier 101, Elbasan 112 kandidatë dhe e mbyll Tirana që ka numrin më të madh me 248 kandidatë. Në përfundim të fazës së dytë, do të bëhet një reduktim i mëtejshëm i numrit të kandidatëve që do të dërgohen për konsultim tek anëtarësia e Partisë Demokratike.

Tv Klan