A duhen zhvendosur lokalet me muzikë në periferi? Duke marrë shkas nga ngjarja e rëndë që një javë më parë tronditi qytetin e Vlorës, ku një i ri mbeti i vrarë dhe tre të tjerë u plagosën, deputeti i qarkut të Vlorës, Flamur Çelaj, i është drejtuar me një letër drejtorit të policisë së këtij qyteti, Jaeld Çelaj.

Bëhet fjalë për një kërkesë, në qendër të së cilës qëndron propozimi për zhvendosjen e këtyre lokaleve me muzikë live në periferi të qytetit.

Në kërkesën e tij, deputeti Çelaj analizon disa faktorë që sipas tij, kërkojnë marrjen e masave që të mos ndodhin situata të ngjashme me atë të 20 Prillit dhe si një mundësi që Vlora të prezantohet si një qytet Europian, jo vetëm për qytetarët e saj, por edhe turistët e huaj.

“Duke qenë se shteti përkrah sipërmarrjen e lirë dhe nuk dikton shijet, mënyrën apo stilin e jetesës së qytetarëve të saj, bazuar në parimin kushtetues të respektimit të lirisë dhe të drejtave të njeriut, propozoj që për këto lloj klubesh nate, në bashkëpunim edhe me Bashkinë Vlorë, Shoqatën e Biznesit, Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe të gjithë aktorët dhe faktorët e tjerë të cilët janë palë, të caktohet një territor në periferi të qytetit, konform të gjitha akteve juridike në fuqi, në mënyrë që të shmangen situata të padëshirueshme dhe që Vlorës t’i japim mundësinë të prezantohet si qytet me standarde Europiane, për qytetarët e vendit, si dhe për turistët e huaj”.

Çelaj shprehet se vendi ku ndodhi ngjarja është një ambient me muzikë tallava, që sipas tij, në vetvete nuk është thjeshtë një stil apo rrymë e veçantë muzikore, me nota orientale, por në tërësi, atmosfera që krijojnë në këto klube, tërheqin klientë të një kategorie të caktuar njerëzish, të cilët shfaqin sjellje aspak qytetare, me veshje aspak dinjitoze dhe në të shumtën e rasteve, janë përdorues të alkoolit, apo të substancave të ndryshme narkotike dhe psikotrope. Madje Çelaj shprehet se jo rrallë mes tyre ndodhen edhe individë me precedentë kriminalë, të cilët paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Deputeti ngre gjithashtu një sërë problematikash që shfaqen në këto ambiente, të lidhura kryesisht me sigurinë. Ai thekson detyrimin për instalimin e kamerave të sigurisë dhe pajisjen e punonjësve të këtyre lokaleve me detektorë.

“Për sa i përket sigurisë në këto lokale, më lejoni të sjell në vëmendjen tuaj, zbatimin e udhëzimit të Ministrit të Brendshëm, se “subjektet që ushtrojnë aktivitet natën, detyrohen të instalojnë kamera të sigurisë së lartë, si dhe të pajisin punonjësit e sigurisë në hyrje të lokaleve të natës me detektorë. Gjithashtu, këto subjekte duhet të kontraktojnë shoqëri private sigurimi, ku përveç punonjësve në hyrje, duhet të ketë patjetër 1 punonjës për çdo 25 m2.”

Një tjetër çështje, ku Çelaj e mbështet kërkesën e tij për zhvendosjen e këtyre lokaleve larg qendrave urbane është ndotja akustike që në vlerësimin e deputetit kërkon më shumë kontrolle.

“Një çështje tjetër e cila meriton vëmendjen tuaj dhe për të cilën më lejoni t’jua bëj me dije, është mbajtja nën kontroll e normës së BE -së, për ndotjen akustike. Për këtë çështje, kërkoj të bëhen kontrolle të vazhdueshme në bashkëpunim me instancat përkatëse dhe të veprohet në rastet e konstatimit të shkeljes sipas kuadrit ligjor, në mënyrë që subjekte të caktuar të mos abuzojnë dhe të prishin qetësinë e pushuesve që vizitojnë qytetin e Vlorës.”

*Mbrëmjen e 20 Prillit, pas një konflikti të çastit mbeti i vrarë 33 – vjeçari Ergys Gjioveshaj dhe u plagosën 3 persona të tjerë. Ngjarja e rëndë ndodhi në një lokal nate me muzikë live, në zonën e “Ujit të Ftohtë” të Vlorës./tvklan.al