Siguria e Bashës, nuk kam ndonjë informacion që rrezikohet. Sigurisht jam vënë në dijeni dje të një letre që janë shtruar dhe disa pyetje, por nuk kam informacion që siguria e Bashës të jetë e kërcënuar në mënyrë specifike”. Kështu u shpreh nga Vlora Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se nga kush kërcënohet siguria e kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe nëse kishte pasur një takim me truprojën e Bashës në zyrën e tij.

Reagimi i Lleshajt vjen një ditë pasi Partia Demokratike e akuzoi Ministrin e Brendshëm se në emër të qeverisë kishte shantazhuar kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. Sipas saj, ai kishte takuar truprojën e Bashës dhe e kishte njoftuar se kryedemokratit i rrezikohet jeta.

Përmes një letre drejtuar Ministrit Lleshaj, PD e quajti të paprecedentë dhe i kujtoi detyrimin ligjor që informacionet mbi rrezikun e sigurisë së kryetarit të opozitës, t’i trajtojë në rrugë institucionale, duke vënë zyrtarisht në dijeni Gardën e Republikës, si autoritetin përgjegjës.

I pyetur për këtë letër, si dhe takimin me truprojën e Bashës, Ministri i Brendshëm tha: “Po letra është bërë publike, atë e keni në gazetë. Është e vërtetë që ka patur një letër, të cilën ende nuk e kam lexuar. Ndërsa sa i përket takimeve të mia, patjetër që unë takoj shumë njerëz. Puna ime është të takoj oficerët e Gardës, oficerët e Policisë, me këtë punë merrem gjithë ditën, takoj oficerë të Gardës edhe të Policisë sepse këtë punë kam”./tvklan.al