Charls McGonigal, ish-zyrtari i lartë i FBI-së i akuzuar në SHBA për disa vizita të padeklaruara në Shqipëri gjatë kohës që ka qenë në detyrë, dyshohet se është paguar 225 mijë Dollarë nga një ish-oficer i shërbimit sekret të Shqipërisë për lobim në Amerikë.

Gazetari Enton Abilekaj thotë se referuar dosjes hetimore, Charls McGonigal është korruptuar nga qeveria shqiptare përmes 2 njerëzve të afërt me qeverinë.

Më 25 Nëntor 2017, i pandehuri McGonigal informoi Departamentin e Drejtësisë, prokuroi i referuar më lart për një hetim të ri penal të mundshëm që përfshin një shtetas amerikan, i cili ishte regjistruar për të kryer punë lobimi në SHBA në emër të një partie politike shqiptare, parti e ndryshme (rivale) nga ajo në të cilën kryeministri ishte anëtar. Një ditë më parë, ai kishte marrë informacion për lobistin shtetas amerikan”, thuhet në pikën 36 të dosjes hetimore.

Enton Abilekaj: Lobimi është hapur dhe ai ka marrë informacion nga shtetasi A, Agron Nezaj dhe nga Dorian Duçka për Nick Muzinën. A ka kaluar dot tek Prokuroria është tjetër çështje, por FBI-ja e ka hapur sepse janë futur dhe fashikujt në dosje, akti është kryer. Pra, zotëria është korruptuar nga qeveria shqiptare me 225 mijë Dollarë.

Blendi Fevziu: Po ku del nga qeveria shqiptare?

Enton Abilekaj: Po, pra nga 2 njerëz të afërt me qeverinë shqiptare, është e qartë aty. Thuhet për kundërshtarin e Ramës. Ne duhet të kujtohemi se vetë Rama na tha se do të dalin të reja për paratë ruse në Nëntor, e tha, ja dolën të rejat. E shohim se kush ka investuar në SHBA dhe kush ka korruptuar që në Shqipëri ka ndikim rus partia e opozitës. E kupton se çfarë bëhet?

Nga ana tjetër gazetari Poli Hoxha, i referohet pikës 25t të dosjes hetimore teksa thotë se i pandehuri Charls McGonigal mbajti një marrëdhënie të vazhdueshme me Kryeministrin e Shqipërisë.

Poli Hoxha: Pika 25 thotë: Pas udhëtimit në Shtator në Shqipëri, i pandehuri Charls McGonigal mbajti një marrëdhënie të vazhdueshme me Kryeministrin e Shqipërisë, ndërsa në pikën 26-të kalon direkt tek marrja e parave në restorant, por kemi dhe një drekë mes Nezës, Kryeministrit dhe dhe këtij. Duhet verifikuar se a janë dhënë atë ditë paratë.

Blendi Fevziu: Për ta bërë të kuptueshme për publikun, kemi një zyrtar të FBI-së, i cili përmes një lidhje shqiptare në SHBA, një ish-oficeri të Sigurimit të Shtetit, të larguar në Amerikë prej një periudhe shumë të gjatë kohe, ka ardhur në Shqipëri. Ky person ka marrë para për të lobuar për hapjen e një çështje ndaj Lulzim Bashës për financimin e “Nik Muzin”, apo jo?

Iris Luarasi: Kjo nuk është vërtetuar akoma.

Poli Hoxha: Thuhet vetëm një firmë të lobimit të tyre që është e firmosur nga Basha./tvklan.al