Impianti në kryeqytet dhe “Elbasan Arena” janë në gjendje optimale, ndërsa në Korrik do të luajnë Tirana, Partizani dhe Laçi

Stadiumet shqiptare “Air Albania” dhe “Elbasan Arena” janë në përgatitjet e fundit për të pritur tri ndeshjet e klubeve shqiptare në Kupat e Europës në muajin Korrik.

Në kryeqytet më 12 Korrik do të luhet sfida e kthimit që Tirana do të zhvillojë ndaj Dudelanzhit, e vlefshme për turin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Dy ditë më pas, Partizani do të ndeshet me Saburtalon në takimin e kthimit, të vlefshëm për turin e parë të Europa Conference League.

Drejtori i Departamentit të Shërbimeve dhe Administrimit të Qendrave Sportive, Kejdi Tomorri, tregon për gjendjen e dy impianteve.

 “Gjendja e stadiumit është relativisht e mirë. Jemi duke u sforcuar pak në mbajtjen e barit, duke qenë se ishte planifikuar që stadiumi të kishte këtë lloj bari deri për finalen e Conference League, por edhe pak më pas për ndeshjet e ekipit kombëtar dhe duke qenë se është një lloj bari vetëm për periudhën e dimrit, jemi duke “e vuajtur” pak për ta mbajtur në formën më të mirë të mundur për dy ndeshjet që do të vijnë me datë 12 kur do të luajë ekipi i Tiranës dhe 14 ekipi i Partizanit”, thotë Tomorri për fshf.org, ndërsa flet edhe për gjendjen e stadiumit “Elbasan Arena”, ku do të luajë ekipi tjetër që është kualifikuar në kompeticionet europiane, ekipi i Laçit.

Edhe në stadiumin “Elbasan Arena” gjendja është optimale. Prej shumë kohësh aty kemi një fushë shumë të mirë, por edhe pjesa tjetër e infrastrukturës së stadiumit është shumë mirë për të mirëpritur ndeshjen që do të luajë Laçi”, tregon Kejdi Tomorri.

Federata Shqiptare e Futbollit ka eksperiencë në pritjen e ndeshjeve të këtyre niveleve, ndërsa vepron si asistente sa i përket organizimit të sfidave.

Tomorri shton se fusha e stadiumit “Air Albania” do të rimbillet sërish, këtë herë me barin e verës e më pas vazhdohet me praktikat normale si çdo stadium tjetër.

Klan News