Gjykata e Tiranës ka ndryshuar masën e sigurisë për Dritan Fejzon, Drejtorin Juridik të Autoritet Rrugor nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”. Fejzo u prangos për akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për aksidentin e 7 majit, në rrugë Plepa-Rrogozhinë, ku humbën jetën dy fëmijë të mitur.

Togat e zeza argumentuan se për zyrtarin e ARRSH-së kanë ndryshuar kushtet dhe rrethanat dhe nuk mund të qëndrojë në burg. Fejzo sipas prokurorisë nuk ka marrë masat për të vënë në zbatim vendimin e Gjykatës së Apelit Administrativ, vendim i cili detyronte ARRSH-në të rivendoste parmakët mbrojtës.

Nga veprimet e eksperteve ka rezultuar se, nëse parmakët nuk do ishin të ndërprerë për t’i dhënë mundësi një karburanti të kishte akses në rrugën kryesore, pasojat e aksidentit nuk do të kishin qenë kaq të rënda.

Të mërkurën në Gjykatën e Apelit të Tiranës do të shqyrtohet kërkesa e zyrtarit tjetër të ARRSH-së, Bib Gjomakaj, i cili kërkon ndryshim të masës së sigurisë. Aktualisht ai ndodhet në burg.

Ndërkohë që prokuroria vazhdon hetimet pas dyshimeve në këtë skandal të jenë përfshirë dhe drejtuesin e Autoritetit, Dashamir Xhika. Gjithashtu  Xhika është kallëzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për abuzim me detyrën dhe cënim të sigurisë rrugore me ndërgjegje, pasi ka pranuar kërkesën e firmave kontraktuese për ndryshimin e tipit të parmakeve dhe uljen e lartësisë se tyre. /TV KLAN