Aksidenti që i mori shikimin dhe vëllain, 55-vjeçarja: Na u duk si lodër, por shpërtheu


Aksidenti që i mori shikimin dhe vëllain, 55-vjeçarja: Na u duk si lodër, por shpërtheu

16:09 20/12/2019

“Historia ime” në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e dhimbshme të një 55-vjeçareje nga Burreli. Si pasojë e një aksidenti me bombë në moshën 7-vjeçare, Sofie Kolgjini humbi shikimin, ndërsa vëllai i saj humbi jetën. Kjo ishte një goditje e rëndë për të dhe familjen e saj.

Në atë moment rrjedha e jetës së saj mori një drejtim krejt tjetër dhe për shkak të këtij kufizimi të ri, i është dashur të përballet me sfida të mëdha. Ajo duhet të përshtatej me gjithçka që e rrethonte, por me mungesë të plotë të shikimit dhe njëkohësisht të largohej nga familja. Por kjo nuk e ndaloi atë të vazhdonte jetën dhe të ndiqte ëndrrat. Sofie u regjistrua në Institutin e Nxënësve që nuk shikojnë dhe sot ajo është mësuese muzike në këtë shkollë, por gjithashtu prej vitesh është pianiste dhe soprano lirike.

Mirela Milori: Çfarë mban mend nga fëmijëria jote?

Sofie: Unë nga fëmijëria kam qenë një fëmijë normal, si gjithë fëmijët e tjerë, deri në moshën 7- vjeçare, kam ndjekur kopshtin, isha gati për të nisur klasën e parë atë vit, por në mars të vitit ’71 ndodhi një aksident që ndryshoi komplet rrjedhën e jetës sime, gjithashtu dhe të familjes. Kjo ishte një tronditje që pësoi familja dhe sigurisht edhe unë si fëmijë. Kur ndodhi aksidenti, unë humba shikimin dhe normalisht jeta ime mori një tjetër drejtim. Në atë kohë, në vitin ’71, ne u informuam që në Tiranë ishte Instituti i Nxënësve që nuk shikojnë sepse unë nuk mund të vazhdoja më shkollën tani, për shkak të kondicionit fizik, që m’u shkaktua, nuk mund të shkoja në shkollat publike. Prindërit e mi më sollën në Institutin në Tiranë. Kam filluar klasën e parë aty, kam vazhduar gjithë ciklin 8-vjeçar, në atë institut, ku aty ne zhvillonim lëndët si në gjithë shkollat e tjera të Republikës, të gjithë programin, plus aty unë kam studiuar edhe piano, sepse mësusit e mi kuptuan që kisha talent në muzikë dhe që nga klasa e parë kam studiuar piano.

Mirela Milori: Çfarë mban mend nga dita fatkeqe që ndodhi gjithçka?

Sofie: Neve ishim duke luajtur, disa fëmijë ishte buzë-mbrëmje, prindërit e mi nuk ishin kthyer akoma nga puna. Se jam aksidentuar me bombë, vëllai im pak më i madh se mua e kishte parë diku, edhe i ishte dukur si lodër. Siç ishim grupi i fëmijëve na tha kam parë një kuti, me ngjyra ishin ato. E solli, askush prej nesh nuk e dinte, ishim fëmijë nga 7, 8, 9 vjeç, ishim të gjithë aty të lagjes, edhe na shpërtheu.. Në këtë aksident unë u verbova, vëllai im dhe një vajzë tjetër ndërruan jetë.

Mirela Milori: Mjekët të dhanë ndonjë mundësi që të bëje një ndërhyrje kirurgjikale apo ndodhi verbim i plotë?

Sofie: Jo, unë kam bërë edhe ndërhyrje, mjekime të ndryshme, por ky ishte fati.

Në studio, Sofie falenderon familjen e saj për kujdesin dhe dashurinë e madhe që kanë treguar për të gjatë gjithë kësaj kohe. /tvklan.al

Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi