Një incident i pazakontë ndodhi të dielën në autostradën Durrës-Tiranë. Burime për Klan News bëjnë të ditur se 6 persona u përfshinë në një konflikt që për pak minuta u shndërrua në pengmarrje.

Gjithçka dyshohet se nisi kur një automjet i preu rrugën një motori ku udhëtonin dy vëllezër, duke u përplasur. Kjo dyshohet se u bë shkak për një konflikt fizik mes palëve. Personat që ndodheshin në automjet, mësohet se morën me forcë një prej vëllezërve në makinë për rreth 500 metra. Më pas e lanë të lirë dhe u larguan nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas burimeve të Klan News, fillimisht ngjarja u referua si aksident rrugor. Mësohet se policia i ka identifikuar personat e përfshirë në këtë ngjarje dhe po punon për ndalimin e tyre.

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës: Në autostradën Durrës-Tiranë, në vendin e quajtur “Koxhas”, shtetasit G. B. dhe I. B. (vëllezër), duke udhëtuar me motor, dyshohet se janë përfshirë në një incident rrugor, pasi një automjet ka goditur motorin e tyre, i cili për pasojë ka dalë nga rruga. Për këtë shkak, dy vëllezërit janë konfliktuar fizikisht me personat që ishin në automjet.

Në konflikt e sipër, personat që ishin në automjet kanë marrë njërin prej vëllezërve, shtetasin I. B., të cilin e kanë lënë në rrugë, larg nga vendi i konfliktit, dhe më pas janë larguar.

Nga strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë, në bazë të kallëzimit të shtetasit I. B., është regjistruar procedimi penal dhe po punohet për sqarimin e motivit dhe të rrethanave të ngjarjes, si dhe për implikimin e këtyre personave, në ngjarje të tjera./tvklan.al