Aktivitet kulturore në Tiranë – (31 dhjetor 2000)
Lajme Arkiva – TV Klan 2000
Këtë javë kryeqyteti shqiptar është gjallëruar nga aktivitet e ndryshme kulturore dhe artistike. Java ka nisur me ekspozitën e piktorit Artan Shabani, çelur në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në kuadër të aktivitetit “Takim në ëndërr”. Piktori Shabani prej 12 vitesh jeton dhe punon në Itali, ku është shquar si një nga piktorët e rinj në rrymën e ekspresionizmit, i cili hapi në Tiranë, ekspozitën “Ngjyrat e Mesdheut”.
Një tjetër aktivitet i rëndësishëm në fushën e kulturës, ka qenë këtë javë edhe promovimi i fjalorit të shqipes së sotme. Instituti i Gjuhësisë dhe Letërsisë, shtëpia botuese “Toena”, Akademia e Shkencave, janë realizuesit kryesor, të këtij fjalori të ripunuar dhe përditësuar. Fjalori i shqipes së sotme ka dalë në treg dhe kushton 6 mijë lekë.
Çmimet e përvitshme kombëtare dhënë nga Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve, për letërsinë janë prezantuar të enjten në ambientet e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës në Tiranë. Çmimin Penda e Artë, e fitoi vepra e poetit Martin Camaj, ndërsa Penda e Argjend për prozë, e fitoi Fatos Kongoli me prozën “Andrra e Demokleut”. Çmimin Penda e Argjend për poezi e fitoi Fatos Çoçoli, ndërsa çmimin e Penda e Argjend për përkthime nga gjuha e huaj në shqip e fitoi Niko Kacalidha.
Një premier teatrore është ngjitur në skenat e kryeqytetit këtë javë. “Çifti i shqyer” një tragjikomedi nga Dario Fo është prezantuar në sallën e Akademisë së Arteve në kryeqytet, vënë në skenë nga kompania teatrore Oaz dhe Akademia e Arteve. Kjo shfaqje është vënë në skenë nga regjisori Altin Basha./tvklan.al
Gazetare – Fjodora Fjora