Kreu i bashkisë së Malësisë së Madhe Tonin Marinaj ka reaguar pas kërkesës së PD për verifikim të figurës së tij sipas ligjit të dekriminalizimit. Përmes një postimi të gjatë në Facebook, ai i cilëson akuzat një skenar të dobët shpifjesh të opozitës.

“Sot, si shumica nga ju, edhe unë jam suprizuar nga një deklaratë nga zyrat e njërës prej PD- ve të shumta në qarkullim.  Nuk u habita shumë për vazhdimin e valsit të turpit të shpifjeve as ndaj meje, as institucionit që synojnë të ndotin dhe as Malësisë së Madhe që, bashkëmalësorë të mi, po japin prova prej vitesh që nuk e duan. Ose që interesat e tyre, i vendosin para interesit të malësorëve e Malësisë sonë. U habita nga “skenari” i dobët, i shkruar apo i frymëzuar nga ndonjë pasdritare, “skenar” që nxjerr zbuluar edhe qëllimin për të cilin u sajua. Vitin që vjen, ka zgjedhje dhe Malësia e Madhe dhe malësorët, do të votojnë për qeverinë e tyre, sigurisht për të rikonfirmuar këtë mazhorancë dhe kryeministrin Edi Rama.”

Demokratët në kërkesën e bërë ndaj Prokurorit të Përgjithshëm kanë specifikuar se Marinaj “akuzohet nga antimafia italiane për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike”. Akuza të cilat, kryebashkiaku i hedh poshtë…

“Të dashur malësorë, Ju jam mirënjohës për mbështetjen e qëndrueshme këto vite, të cilën me mundësitë e aftësitë e mija, me mbështetjen e jashtëzakonshme të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, jam përpjekur dhe do të vazhdoj të përpiqem t’ua kthej me punë të mira, në shërbim të komunitetit dhe me përkushtimin tim maksimal. Nuk do të kisha marrë mundimin t’ ju përgjigjesha nongratave që po përpiqen të krijojnë një “skenar” shpifjesh në Malësi të Madhe. Por e ndjej detyrim për të gjithë banorët e Malësisë së Madhe, votues ose jo të mijtë, detyrim për Partinë Socialiste, kryetarin dhe kryeministri Edi Rama, për bashkëpunëtorët e mi, për të afërmit, miqtë e të njohurit dhe sigurisht për familjen time të deklaroj: Me neverinë dhe përbuzjen më të madhe hedh poshtë jo vetëm këtë “skenar” të turpshëm, të pabesueshëm e qesharak por çdo sulm e akuzë të fabrikuar ndaj personit tim, Bashkisë Malësi e Madhe dhe malësorëve të mi.”

Më tej, Marinaj thekson se është “ i hapur përballë çdo institucioni si KQZ, prokuroria, KLSH-ja, SPAK-u apo çdo organizëm tjetër, vendas dhe i huaj që të shqyrtojë çdo informacion në drejtim të tij.”

/tvklan.al