Partia Socialiste ka mbledhur pasditen e sotme Asamblenë Kombëtare online. I pranishëm në mbledhje është kryeministri Rama, i cili ka thënë se arsyeja kryesore është miratimi i vendimit për thirrjen e Kongresit të PS-së më 20 Korrik. Teksa ka folur me shifra, kryeministri Rama është shprehur se rezultati i përgjithshëm i anëtarësisë së Partisë Socialiste është pozitiv.

Edi Rama: Arsyeja kryesore e kësaj mbledhje është që pas përfundimit të procesit për zgjedhjet për Kongresin, të miratojmë vendimin për thirrjen e Kongresit Zgjedhor të PS-së në 20 Korrik. Aktualisht, mund të jemi të inkurajuar nga fakti që në këtë proces rienergjizimi të partisë kemi pasur një rritje domethënëse të anëtarësisë reale që do të thotë të anëtarësisë aktive, ndërkohë që kemi pasur po ashtu një pjesëmarrje domethënëse në zgjedhjet që u zhvilluan me parimin 1 anëtar, 1 votë për delegatët e Kongresit të ardhshëm të PS.

Nga një riqëmtim total i të gjithë anëtarësisë së PS-së, kemi 93 mijë anëtarë të regjistruar dhe të identifikuar si të tillë në territorin e Republikës së Shqipërisë pa llogaritur 7 mijë të tjerë që i janë bashkuar PS-së në funksion të zgjedhjeve. Nga 93 mijë anëtarë të regjistruar si anëtarë aktivë, kemi pasur 79 mijë e 350 zgjedhës, pra 78.6% e trupës së regjistruar mori pjesë për zgjedhjet për delegatët e Kongresit, shifra më e lartë e pjesëmarrjes që kemi pasur në këto lloj procesesh. Në rastin e anëtarësisë së partisë nuk është e njëjta gjë si në zgjedhjet e përgjithshme.

Rezultati i përgjithshëm është shumë pozitiv, janë shtuar 32 mijë anëtarë të rinj në të gjithë territorin. Shifra inkurajuase është në të tjera që 11 mijë e 400 prej tyre janë të rinj dhe të reja nga 18 deri në 30 vjeç. Nga i gjithë procesi i zgjedhjeve për Kongresin e ri janë propozuar 10 mijë delegatë, prej të cilëve ka dalë numri i 1 mijë e 200 delegatëve të Kongresit, numri që kemi pasur dhe që kemi dhe aktualisht. Ku siç e dini, një pjesë e delegatëve si kryetarë bashkish, anëtarë këshillash, 925 delgatë të zgjedhur nga anëtarësia, nga të cilët 76% janë për herë të parë në Kongresin e PS-së. Është arritur një objektiv i rëndësishëm për të shkuar përtej 50% të të rinjve, jo thjesht në moshë, por anëtarë të rinj të Kongresit dhe jemi në 76%.

E njëjta ambicie duhet të karakterizojë edhe zgjedhjen e anëtarëve të Asambleësë së re të PS-së. Janë 156 anëtarë dhe anëtare të Asamblesë Kombëtare që do të zgjidhen nga Kongresi, ndërkohë që edhe 156 do të zgjidhen me votë të fshehtë në Kongresin e ardhshëm Zgjedhor dhe ambicia është që 3/4 e tyre duhet të jenë për herë të parë në Asamblenë Kombëtare.


/tvklan.al