Fredi Beleri u zgjodh si një nga eurodeputetët e Greqisë në votimet për Parlamentin Europian. Ai u përfshi në listat e partisë “Demokracia e Re” të Kryeministrit Mitsotakis.

Por kjo parti, megjithëse doli e parë në Greqi për zgjedhjet europiane, në krahasim me vetëveten me zgjedhjet e kaluara, ka humbur një karrige eurodeputeti.

Pedagogia dhe njohësja e politikës greke, Eda Gemi, e ftuar në studion e emisionit Opinion, thotë se partia “Demokracia e Re” është humbësja më e madhe e këtyre zgjedhjeve.

“Ka ca surpriza për Greqinë, që Demokracia e Re humbi 1 milion votues. Nga 8 ulëse që kishte në 2019, sot ka 7. Demokracia e Re quhet humbësja e më e madhe e këtyre zgjedhjeve në Greqi. Ajo që ka interes është fakti që kemi pak rritjen e PASOK-ut, nga 2 vende fiton 3 vende. Kemi rënie të SYRIZA, një rënie akoma më e madhe se zgjedhjet kombëtare vjet. Megjithëse u përdor Beleri si instrument viktimizimi, Zgjidhja Greke ka dalë shumë mirë, ka 2 vende, është një parti e djathtë në kufijtë e ekstremit të djathtë. Aktualisht Demokracia e Re nuk ka fituar pavarësisht Belerit”.

Fredi Belerin, Eda Gemi e konsideron si një “kalorës të vetmuar”.

“Mitsotakis donte ta absorbonte ai të djathtën ekstreme, por nuk e arriti dot. Beleri është kalorës o vetmuar, por interesante është fakti që është e pa precedent, një personazh si Beleri të zgjidhet eurodeputet ndërkohë që është në burg, nga ana tjetër rrugëtimi i Belerit është i pandalueshëm. Betimi formalisht bëhet në Korrik, nuk ka nevojë të jetë prezent Beleri, kështu që nuk ka asnjë lloj pengese. Rast interesant është Piro Dhima që doli i 9, e humbi garën”, u shpreh ajo.

/tvklan.al