Gjykata e Apelit ka marrë vendimin! Vula e Partisë Demokratike të Shqipërisë i takon liderit historik të demokratëve Sali Berisha.

Ky vendim i rëndësishëm vjen pas afro 3 vitesh përplasje në kampin opozitar.

Tanimë, kryetari legjitim i partisë më të madhe opozitare në vend është ish-kryeministri. Ky i fundit u rikthye fuqishëm në politikë pas vendimit të Lulzim Bashës për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar i PD-së në 2021-in.

Mbështetësit e Berishës kanë nisur festën në selinë blu. I pranishëm gjatë seancës, bashkë me kolegë të tjerë demokratë, Flamur Noka pati një prononcim të shkurtër për gazetarët jashtë ambienteve të gjykatës. Noka tha se vendimi i gëzon demokratët, ndërsa për “regjimin është një ditë e keqe”. (Lexo më shumë)


Seanca sot, 11 Qershor 2024

Seanca gjyqësore nisi në orën 10:00 dhe përfundoi rreth orës 12:40. Vendimin e formës së prerë e mori treshja e gjyqtarëve me relatore Alma Ahmeti dhe dy anëtarët Iliba Bezati dhe Elona Toro.

Pati disa diskutime në sallë mes palëve në proces. Fillimisht përfaqësuesi ligjor i Berishës Ivi Kaso kërkoi mos pranimin e ankimit të bërë nga deputeti Enkelejd Alibeaj kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri. Ndërkohë avokati i Lulzim Bashës, Rezart Kthupi deklaroi se palë në proces është vetëm një, Partia Demokratike e Shqipërisë.

Indrit Sefa nga ana tjetër, kërkoi pushimin e gjykimit dhe rrëzimin e vendimit të Zhukrit të 29 Marsit 2022.

Më pas, togat e zeza u tërhoqën për marrjen e vendimit në Dhomën e Këshillimit. Rreth 40 minuta më vonë u komunikua zyrtarisht se kujt i përket drejtimi ligjor i Partisë Demokratike.


Kujtojmë se gjithçka nisi me shpalljen non grata nga SHBA të Berishës.

9 Nëntor 2021, Lulzim Basha përjashton Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD

Pasi Basha e përjashtoi nga PD më 9 Nëntor 2021, lideri historik i demokratëve bëri lëvizjen e tij.

11 Dhjetor 2021, Kuvendi Kombëtar i PD i thirrur nga Berisha

Më 11 Dhjetor 2021, në 31 vjetorin e themelimit të partisë, ai thirri Kuvendin e PD. Ditë në të cilën u krijua Komisioni i Rithemelimit. Nga Lezha, mbështetësit e tij kërkuan jo vetëm largimin e Lulzim Bashës, por edhe ndryshime statutore. Mes të cilave, rikthimi i referendumit për zgjedhjen e Kryeministrit.

Basha iu përgjigj me një tjetër Kuvend, 7 ditë më vonë.

Lulzim Basha, Kuvendi Kombëtar 18 Dhjetor 2021

Situata kulminoi me protestën e 8 Janarit 2022, kur selia blu u kthye në “arenë konflikti” mes demokratësh.

Përplasjet në selinë blu, 8 Janar 2022

Më vonë, në Mars të 2022-it gjyqtari Agron Zhukri e cilësoi legjitim vendimin e Kuvendit të Berishës për heqjen e Bashës si kryetar i forcës më të madhe opozitare në vend. U miratuan nga Gjykata e Tiranës, ndryshimet e bëra në statut.

Në 6 Qershor të vitit të shkuar u hap gara për kreun e ri të demokratëve dhe çështja përfundoi sërish në Gjykatë.

Gazment Bardhi nën cilësinë e kreut të grupit, Korrik 2023

Më 29 Korrik, pas 16 muajsh pauzë, Basha u rikthye në PD.

Rikthimi për herë të katërt në PD i Lulzim Bashës, 29 Korrik 2023

Vlen të theksohet se Berisha ndodhet në “arrest në shtëpi” që prej 30 Dhjetorit 2023. Ai akuzohet si i dyshuar për korrupsion sa i takon aferës së ish-klubit sportiv “Partizani”. GJKKO me kërkesë të SPAK fillimisht kishte dhënë masën e sigurisë ‘detyrim me paraqitje’ për ish-kryeministrin, por ai refuzoi ta zbatonte.

Kryedemokrati Sali Berisha

Edhe pse i izoluar në banesë, prej 6 muajsh ai ka qenë aktiv në politikë. Çdo pasdite nga dritarja e shtëpisë, u është drejtuar me fjalime mbështetësve të tij. Teksa ka ‘denoncuar’ e akuzuar kundërshtarët e tij, zgjedhjet e 2025-ës kanë qenë gjithnjë në fokus të Berishës. Kryedemokrati synon fitoren në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

E.D/tvklan.al