Ndryshimet në drejtimin e Ministrisë së Brendshme  kanë sjellë reagimin zyrtar të Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Në një deklaratë të saj theksohen vazhdimisht arritjet e deri tashme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit që cilësohen inkurajuese. Rezultat i drejtpërdrejtë i punës së bërë nga autoritetet shqiptare, veçanërisht oficerëve të policisë dhe prokurorëve, të cilët luftojnë për drejtësi të vërtetë për të gjithë shqiptarët, shkruhet në deklaratë. Por megjithatë sipas selisë diplomatike të SHBA-ve  ka ende vend për rezultate me një ministri tërësisht funksionale.

Ka ende punë për të bërë dhe presim që këto përpjekje jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të shtohen. Një Ministri e Brendshme plotësisht funksionale është një element kyç për të siguruar vazhdimësinë e këtyre përpjekjeve dhe rezultateve të deritanishme. Qeveria e SHBA qëndron e gatshme për të punuar me partnerët tanë shqiptarë. Ne do të ofrojmë asistencë kudo që të jetë e mundur për të ndihmuar mposhtjen e krimit të organizuar e korrupsionit, për të vazhduar përparimin e Reformës në Drejtësi, dhe për të siguruar sundimin e ligjit për popullin shqiptar.

Të njëjtin qëndrimin në të njëjtën ditë që Lleshi u prezantua në Ministrinë e Brendshme mbajti edhe kreu i ri i ambasadës së BE në Tiranë, Luigi Soreca.

Këto qëndrime vijnë pas refuzimit të Presidentit për të dekretuar si ministër të Brendshëm Sandër Lleshin, çka detyroi Edi Ramën ta emërojë atë zëvendësministër, por me kompetencat e një Ministri të Brendshëm.

Tv Klan