Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama për një President të përbashkët Shqipëri Kosovë. Në një postim të saj, selia diplomatike e Shteteve të Bashkuara nuk fsheh zhgënjimin për këtë qëndrim, duke thënë se këto aludime nuk i shërbejnë marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

“Ambasada e SHBA mbeti e zhgënjyer nga deklarata e Kryeministrit Edi Rama mbi Shqipërinë dhe Kosovën me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. Gjuha e shkujdesur që aludon për bashkim është e padobishme dhe dëmton marrëdhëniet e Shqipërisë me vendet fqinje. Ne i bëjmë thirrje udhëheqësve që të jenë fqinjë të mirë dhe të lënë mënjanë gjuhën ndarëse të së shkuarës”.

Vetë kryeministri sqaroi një ditë më parë se gjithçka kishte thënë për një President të unitetit kombëtar ishte një keqkuptim dhe një deklaratë e nxjerrë nga konteksti.

Deklaratat e kryeministrit Ramë në 10 vjetorin e pavarësisë së Kosovës u komentuan edhe në Beograd e Bruksel. Ministra të qeverisë serbe kërkuan shpalljen non grata të kryeministrit shqiptar, ndërsa zëdhënësja e Komisionit Europian tha se deklaratat që mund të interpretohen si ndërhyrje politike në vendet fqinje nuk ndihmojnë në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Tv Klan