Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj i quan spekulime mediatike me prapavijë politike raportimet për skandalin financiar për të cilin akuzohet. Berishaj tha se qëllimi kryesor i këtyre akuzave është që të denigrohet personaliteti i tij dhe imazhi i Kosovës. Në një komunikim për gazetarët ai tha se “shpifësit do të dalin para gjyqit”.

“Jam shumë i gëzuar dhe shumë i respektuar që e prezantoj qeverinë e Kosovës si ambasador, shtetin e Kosovës, në shtetin e Kroacisë. Këto çështje për të cilat po pyetni dhe këto spekulime mediatike janë spekulime të drejtuara dhe kanë një prapavijë politike. Mendoj se është shumë me rëndësi në këtë rst të flasim më tepër për aktivitetet të cilat bëhen siç është ky forum që bëhet sot mes Kroacisë dhe Kosovës. Dua të them që këto spekulime të cilat janë bërë i hedh poshtë dhe ato kanë vetëm një qëllim. Qëllimi i tyre kryesor është të denigrohet personaliteti im, imazhi i Kosovës dhe të ndërpritet e të bëhen çështje të cilat nuk ka hije të bëhen, të futen marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes shtetit kroat dhe Kosovës dhe shtetit të Sllovenisë, që e fusin njerëz të cilët e kanë dëshirën për të bërë emër në emër të tjetërkujt. Besoj se këta shpifësa do dalin para gjyqit”, u shpreh Berishaj.

Ai nuk ka pranuar të flasë për takimin me ministren e Jashtme, Donika Gërvalla. Berishaj gjithashtu ka refuzuar të përgjigjet nëse është kontaktuar nga prokuroria apo policia e Kosovës për këtë çështje.

“Ky nuk është skandal, ky është një spekulim ‘par exellance’. Ju lutem unë e kam dhënë deklaratën në institucionin më të lartë të shtetit dhe kam dhënë deklaratën time, në komisionin që më ka thirrur. Unë çfarë kam thënë e kam thënë dhe e kam shkruar, faleminderit”, tha Berishaj.

Ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është akuzuar se ka përfituar 1.2 milionë Euro nga një kompani sllovene me degë në Beograd, Sarajevë dhe Tiranë. Opozita kërkoi shkarkimin e menjëhershëm të ambasadorit dhe hetime nga prokuroria ndaj krerëve të lartë të shtetit pasi dyshohet se këto fonde janë përdorur për fushatën e partisë në pushtet.

Ishin mediat sllovene ato që raportuan të parat se Berishaj është bërë pjesë e një skeme, ku paratë e dërguara nga një kompani serbe, transferoheshin te një kompani tjetër malazeze, pronar i së cilës është ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj./tvklan.al