SHBA: Hiqni kriminelët dhe të korruptuarit nga listat e kandidatëve



SHBA: Hiqni kriminelët dhe të korruptuarit nga listat e kandidatëve

11:01 29/01/2021

“25 Prilli, jetik për demokracinë dhe integrimin. Transparencë për financimet”

Të qartë e përtej gjuhës diplomatike ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Britanisë së Madhe i kërkuan krerëve të partive politike të largojnë nga listat e zgjedhjeve kriminelët dhe kandidatët e korruptuar. Nga konferenca “Kostot e demokracisë”, dy diplomatët Yuri Kim e Norman Duncan folën me shqetësim për fenomenin e shitblerjes së votave dhe intimidimin e votuesve në zgjedhje.

Tani po ndjekim procesin për t’u siguruar që zgjedhjet  e ardhshme të jenë të lira e transparente. Po punojmë me partitë politike që të përmbushin detyrimet ligjore duke vendosur në lista njerëz që nuk rrezikojnë demokracinë dhe nuk promovojnë korrupsionin. Liderët e partive të largojnë politikanët e korruptuar,  dekriminalizimi është jetik. Liderët politikë të kontrollojnë kandidatët, populli shqiptar nuk duhet të votojë për kriminelë, në një demokraci qytetarët duhet të kenë pushtetin”, tha ambasadorja amerikan Kim.

“Kushtetuta kërkon që vullneti i qytetarit të respektohet dhe ky vullnet ende nuk po respektohet plotësisht. Fenomene negative kanë vazhduar, si keqpërdorimin i Zyrës Publike, intimidimi i votuesve, apo blerja e votës”, theksoi ambasadori britanik.

Transparenca e financimeve të partive politike ishte një tjetër problematikë e ngritur nga ambasadorja Kim dhe ai Duncan.

“Liderët e partive duhet të ofrojnë transparencë në financimin e partive. Shqipëria mund të ndërtojë një sistem më të mirë elektoral, ndaj ne inkurajojmë partitë politike që të afirmojnë angazhimin e tyre për transparencë për zgjedhjet e ardhshme”.

“Vazhdon të ketë mungesë transparence sa i takon financimit të partive. Zgjedhjet e 2021-shit do jenë sfiduese, jetike, një hap i rëndësishëm drejt demokracisë dhe integrimit europian”.

Për Kryekomisionerin Shtetëror të Zgjdhjeve, Ilirjan Celibashi, financimi i politikës nga krimi rrezikon sigurinë kombëtare.

“Problem financimi i politikës nga bota e krimit, duhen fushata për fenomenin e shitblerjes së votave, duhet kontribut i të gjithë aktorëve”.

Përtej skepticizmit të dy diplomatëve, Taulant Balla si përfaqësues i mazhorancës, në konferencë foli për standarte edhe më të larta në garën elektorale të 25 Prillit.

“Besoj se jemi në rrugë të mbarë për të garantuar që çdo parti politike të ketë një pasqyrë të qartë të çdo shpenzimi dhe çdo emri që ka financuar.  Ne do t’ia dalim të organizojmë zgjedhje shumë pranë standardeve më të larta demokratike.”

Mekanizmi që garanton transparencën e financimeve të partive politike sipas opozitës duhet të kalojë nga kontrolli parlamentar.

“Është koha të vlerësohet krijimi i një komisioni të përhershëm parlamentar për financimin e partive, duhet të drejtohet nga opozita, duhet të ketë kapacitete të plota për të thirrur çdo institucion apo individ për të raportuar për të”, tha sekretari për çështjet ligjore në PD, Ivi Kaso.

Opoizita kërkon rishikim të kornizës ligjore për financimin e partive politike, me argumentin se zgjedhjet e 2015 dhe 2017 provuan shtrirjen masive të korrupsionit.

Tv Klan







Të ngjashme