Zëdhënësit e yllit të muzikës pop amerikane Ariana Grande njoftuan se ajo do të shfaqet sërish në Mançester, këtë herë në një koncert bamirësie për nder të viktimave të sulmit vdekjeprurës së javës së kaluar.

Në koncertin me titullin “One Love Manchester”, që do të mbahet ditën e dielë, krah këngëtares do të jenë dhe artistë të tjerë të njohur si Justin Bieber dhe Katy Perry.

Në sulmin e 22 majit në dalje të ambjenteve të “Manchester Arena” pak pas përfundimit të koncertit të Ariana Grandes, u vranë 22 vetë dhe u plagosën më shumë se 100 të tjerë. Shumë nga viktimat ishin vajza të reja, admiruese të këngëtares. Të tjerë ishin prindër që po prisnin fëmijët e tyre pas koncertit.

Policia ka identifikuar sulmuesin, 22 vjeçarin Salman Abedi, i lindur në Mançester. Po punohet ndërkohë që të zbardhen lëvizjet e tij në javët e fundit përpara sulmit, si dhe të bashkëpunëtorëve të tij.

Në lidhje me sulmin autoritetet kanë arrestuar më shumë se 10 persona, ndër ta vëllain dhe babain e Salman Abedit, në Libi javën e kaluar. Sipas një zëdhënësi të autoriteteve libiane, vëllai Hashim ishte në dijeni të planeve të Salman Abedit për të sulmuar./VOA