Presidenti  i FSHF-së, Armand Duka thotë se ka qenë një person i maskuar me kapuç ai që ka vendosur tritolin në portën e jashtme të shtëpisë së tij në Durrës.

Duke folur për gazetarët, Duka u shpreh se kamerat e sigurisë e kanë filmuar autorin dhe ai shprehet i bindur se policia do ta zbardhë pas disa orësh.

“Ka qenë familja ime, djali, gruaja, kurse unë tani erdha. Uroj të jetë rastësi. Nuk kemi dëmtime në njerëz, porta është goxha larg nga banesa, por shpërthimi ka qenë goxha i madh. Kamerat e shtëpisë edhe kamerat e rrugës i kanë filmimet e personit që ka vënë…duket një njeri me kapuç i cili është afruar te porta dhe ka vënë dinamitin te ai mekanizmi që hap e mbyll portën dhe është shpërthyer. Shif sa policë keni këtu, shif sa hetues keni këtu, këta janë të gjithë të aftë dhe besoj se maksimumi deri nesër do ju bëjnë të ditur se kush e ka vënë. Këtu nuk ngel krim pa u zbuluar”.

Ndërsa i pyetur nga gazetarët nëse ka dyshime përse i kanë vendosur tritol jashtë banesës, Armand Duka u shpreh: “Unë s’jam polic, unë jam ekonomist. Kur të bëhem polic do kem dyshime se për kë mund ta ketë bërë”. /tvklan.al