“Izolimin e opozitës ta kthejmë në betejë lirie”

Hakmarrje politike e ka cilësuar lideri i opozitës, Sali Berisha, vendimin e Gjykatës së Posaçme për ta izoluar atë në arrest shtëpie me mbikëqyrje policore. Nga banesa e tij, përmes një reagimi në rrjetet sociale, kreu i demokratëve thotë se masa e dhënë ndaj tij tregon më së shumti frikën që sipas tij i ka shkaktuar aksioni opozitar Edi Ramës.

“Kjo masë arresti politik, dëshmi e një hakmarrje politike të verbër të Edi Ramës, nuk shpreh vetëm urrejtjen e tij të trashëguar ndaj kundërshtarit, por mbi të gjitha shpreh frikën, tmerrin që ne të dashur miq i kemi kallur atij deri në palcë dhe botës së tij të krimit me betejën tonë pa kthim”.

Por pavarësisht masës së dhënë, Berisha shprehet i vendosur për të vijuar betejën e tij politike dhe garanton se do të punojë çdo ditë për t’i shkurtuar jetën politike Edi Ramës.

“Sali Berisha është dhe do të jetë ai që ka qenë gjithmonë. Me apo pa arrest shtëpie, me apo pa policë tek dera, asgjë nuk do mund ta ndajë dot atë nga ju, jo vetëm demokratë, por edhe shqiptarë kudo që ata ndodhen. Sali Berisha do të vazhdojë të punojë dhe të luftojë çdo minutë, me të gjitha format dhe mjetet për të rikthyer demokracinë që aktualisht është e shpërfytyruar”.

Më tej ish-kryeministri Berisha fton të gjithë demokratët të mos dorëzohen, por të vijojnë betejën e tyre kundër qeverisë aktuale dhe ta kthejnë izolimin në fitore të opozitës.

“Çdo masë që merr ky pushtet ndaj meje dhe opozitës është e përkohshme. Ajo që mbetet e pamposhtur është mosdorëzimi ynë dhe vendosmëria jone që izolimin e opozitës ta kthejmë në betejë lirie dhe në fitore për shqiptarët. Ndaj dhe ju ftoj të vazhdojmë me moton “O SOT O KURRË” betejën tonë pa kthim edhe më të fortë, të vendosur dhe më me pasion e guxim se kurrë më parë”.

Ai shprehet i bindur se në këtë betejë demokratët nuk janë vetëm, por kanë mbështetjen e shumicës së shqiptarëve që sipas tij e kuptojnë se Shqipëria është në rrezik.

Tv Klan