Pasi SPAK kërkoi nga Kuvendi heqjen e imunitetit të deputetit Sali Berisha, ky i fundit ka reaguar në një konferencë për gazetarët në lidhje me lajmin. Gjatë fjalës së tij, Berisha është shprehur se do të respektojë vendimin e parlamentit.

Sali Berisha: Në vitin 2012, Sali Berisha ka dërguar në parlament, abrogimin nga Kushtetuta të çdo lloj mbrojtje të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Ky amendament i qeverisë, është kundërshtuar në mënyrë të prerë nga Edi Rama dhe është pranuar vetëm lejimi i hetimit të deputetëve. Kështu që unë kam deklaruar edhe unë këtu para jush se jam i gatshëm ta votoj vetë këtë ligj edhe sot dhe nuk kam asnjë kundërshtim. Nëse unë nuk kam pranuar urdhrin e gjykatës dhe SKAP-it nuk e kam pranuar sepse ajo është shkruarje e kushtetutës. Kam mbrojtur parlamentin dhe pushtetin e tij dhe absolutisht jo, Sali Berishën. Pra unë kam refuzuar të zbatoj një urdhër antikushtetues nga një gjykatës tërësisht në konflikt interesi. E shkarkuar nga unë në datën 8 Shkurt 1996 dhe që e fsheh këtë fakt. Por, përsa i përket konsistencës time ndaj propozimit 2012, ajo qëndron plotësisht. Unë jam që deputetët të mos kenë asnjë lloj dallimi nga qytetarët e thjeshtë në Kushtetutë.

Kjo është një kërkesë krejtësisht normale dhe unë do ta lexoj shkresën me më hollësi, por në parim jam 100% dakord, nuk duhet të ketë për deputetët mbrojtje. Ajo është mbrojtje parlamenti, unë kam mbrojtur parlamentin, jo Sali Berishën. Por që një gjykatës të thotë se nuk është heqje lirie heqja e daljes jashtë shtetit, ku kushtetuta sanksionon një nen të veçantë për daljen jashtë shtetit të shtetasve. Kjo është të tallesh me kushtetutën, ose të rishkruash kushtetutën. Unë kam mbrojtur thjeshtë pushtetin e parlamentit. Do parlamenti që ta dorëzoj që nesër, unë e votoj që nesër. Nuk kam asnjë kundërshtim. Nuk mund të ketë. E kam thënë dhe e them. Besoj se isha i qartë në këtë pohim timin. Kanë gabuar rëndë ata që kanë kujtuar se unë nuk paraqitem. Unë e kam thënë me dhjetëra, jam paraqitur dhe paraqitem. Por në këtë rast kemi të bëjmë me shkruarjen e kushtetutës, një akt puçist. Marrje pushteti për llogari të Edi Ramës, nga gjykatës dhe prokurorë të përgjegjshëm. Kaq.

Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati Berisha ka akuzuar kryeministrin e vendit, Edi Ramën se qëndron pas akuzave ndaj tij.

Sali Berisha: Kjo është e gjitha e Edi Ramës, por këtu e kam thënë 100 herë që jam pa asnjë kusht për hetimin sepse e kemi hequr nga Kushtetuta hetimin. Unë nuk mund të kem 2 qëndrime. Atë që mendoj për vete, mendoj dhe për të tjerët. Është i drejtë apo i padrejtë është tjetër qëndrim, por asnjë lloj shmangie nga organet e drejtësisë nuk mund të ketë në rast se parlamenti… Tani e zgjidh parlamenti. Sa herë kanë sjellë ato fletushkat i kam thënë çojini në parlament.

Kryedemokrati Berisha është shprehur se ky akt që ndërmerret kundër tij, është një frymëzim dhe kushtrim i ri për opozitën.

Sali Berisha: Tani, edhe njëherë. Vendimi i parlamentit do të zbatohet nga Sali Berisha, sado që vendimi i SKAP është vendim i paligjshëm, i bazuar në një vendim të paligjshëm. Por nëse parlamenti, se edhe njëherë, kufizimet ndaj drejtësisë, imuniteti, nuk janë të individit, janë në radhë të parë të parlamentit. Janë të parlamentit në mënyrë që askush të mos mund ta destabiliziojë me procedura të tjera parlamentin. Ky është morali i tyre. Pastaj sigurisht individi është pjesë e parlamentit. Në këtë kontekst, nëse parlamenti pranon këtë vendim të paligjshëm të bazuar edhe ky mbi një vendim antikushtetues të paligjshëm është përgjegjësia e tij. Unë do të përputhem me veprimet e gjyqësorit. Përsa i përket opozitës të garantoj se asgjë nuk e ndalon dot betejën e saj pa kthim gjer në fitore. Ajo do të zhvillohet në çdo skaj dhe shqiptarët e shohin këtë si një përpjekje tjetër për të dëmtuar opozitën dhe për ta ç’aktivizuar atë. Por e kundërta do të ndodhë. Ky është një frymëzim për opozitën. Ky akt që ndërmerret kundër meje, është një frymëzim dhe kushtrim i ri për opozitën. Në këtë kontekst ndihem më i motivuar se kurrë.

Ish-Kryeministri Sali Berisha akuzohet për korrupsion pasiv në lidhje me privatizimin e ish-kompleksit Partizani, çështje për të cilën është nën hetim dhe në masë sigurie “arrest shtëpie” dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe po ashtu nën masë sigurie “detyrim për t’u paraqitur” dhe “ndalim i daljes jashtë vendit”, biznesmeni Fatmir Bektashi.



/tvklan.al