Avokati: Gjyqtarja synon t’i djegë mandatin

Gjykata e Posaçme e gjeti veten në pamundësi këtë të enjte për të marrë në shqyrtim ankimin e ish-Kryeministrit Sali Berisha, kundër vendimit të SPAK që nuk i dha leje për të shkuar në Kuvend.

Shkak sipas gjyqtares Irena Gjoka, u bë firmosja e njoftimit për seancën, jo nga ish-Kryeministri por nga vajza e tij. Ndaj dhe për këtë arsye nuk konsiderohet i njoftuar duke shtyrë seancën për në 8 Shkurt.

Por për avokatët, shtyrja e seancës është në funksion të vetëm të një synimi, djegien e mandatit të deputetit të ish-Kryeministrit.

Në të njëjtën linjë ishte edhe Partia Demokratike.

“Tentativë për mbylljen e gojës së Sali Berishës”, u shpreh Ivi Kaso.

Berisha kërkoi leje në SPAK në mënyrë që të dalë për të marrë pjesë në seancat plenare të Kuvendit në funksion të detyrës si deputet.

Kjo kërkesë u rrëzua nga dy prokurorët e çështjes me argumentin se nuk ka bazë ligjore dhe se zbatimi i masës së sigurisë në këtë rast prevalon.

Tv Klan