Avokatët e ish-Kryeministrit: Vendimi, joligjor

“Pas 5 ditësh dhe një seance e cila zgjati rreth 40 minuta këtë të shtunë, Gjykata e Posaçme doli me vendim dhe zëvendësoi masën e sigurisë për ish kryeministrin Sali Berisha në “Arrest shtëpie” me mbikëqyrje policore, duke i ndaluar edhe kontaktet”.

Avokatët e ish-Kryeministrit e konsideruan vendimin në kundërshtim me ligjin, pasi sipas tyre duhej pritur të shqyrtohej kërkesa e dorëzuar prej tyre për përjashtimin e gjyqtares Irena Gjoka. Ndaj ata paralajmëruan se do e ankimojnë atë.

“Pritej sepse kjo gjykatë ka bërë shkelje dhe më të mëdha dhe në vazhdën e tyre, ishte edhe vendimi i sotëm. Do të ndjekim rrugën e ankimit sipas ligjit, brenda afatit ligjor. Kjo është ekstra ligjore sepse asnjëherë, arresti në shtëpi nuk shoqërohet me mbikëqyrje policore.”

Megjithatë pavarësisht këtij qëndrimi, njëri prej avokatëve, Sokol Mëngjesi, shoqëroi agjentët e Policisë së Shtetit, kur këta të fundit mbërritën në banesën e Berishës, siç e shihni dhe në pamje, ku i komunikuan masën e re te sigurisë.

“U ekzekutua masa. Po, iu komunikua. U ekzekutua me procesverbal, normalisht, si në çdo rast tjetër. Ishim dhe ne prezentë, ishte dhe vetë zoti Berisha.”

SPAK kërkoi ashpërsimin e masës së sigurisë për Berishën me argumentin se ai nuk zbatoi vendimin që e detyronte atë të paraqitej në policinë gjyqësore dhënë nga e njëjta gjykatë në tetor të këtij viti.

Por Berisha dhe avokatët e tij avokatët pretenduan se ajo masë ishte anti-kushtetuese sa kohë doli pa leje nga Kuvendi sepse ish kryeministri gëzonte imunitetin e deputetit.

SPAK po e heton Berishën me dyshimet se është përfshirë në korrupsion në procedurën e privatizimit të ish kompleksit partizani. Akuzë e cila është mohuar nga ish kryeministri që e konsideron hetimin ndaj tij si politikë. Për të njëjtën çështje në arrest shtëpie po qëndron edhe dhëndri i tij Jamarabër Malltezi.

Tv Klan