Duke komentuar për arrestimet e fundit të SPAK, sikurse ishte rasti i djeshëm i kryebashkiakut socialist të Lushnjes që akuzohet për shpërdorim detyre, kreu i grupit të PS Taulant Balla tha se distancohen nga kushdo përfaqësues i tyre që ka shkelur ligjin.

Në fjalimin e tij në Parlament në këtë seancë të fundit të sesionit parlamentar, Balla tha se asnjë nga përfaqësuesit e Partisë Socialiste nuk do të merret në mbrojtje nëse ndaj tyre ka prova që faktojnë shkeljen e ligjit.

Partia Socialiste në asnjë rast nuk ka sulmuar institucionet e drejtësisë. Partia Socialiste për asnjë prej atyre personave që kanë marrë detyra në emër të Partisë Socialiste, nuk ka marrë në mbrojtje askënd dhe nuk ka për ta bërë këtë në asnjë rast. Koha kur partitë politike griheshin me njëra-tjetrën me akuza ka marrë fund sepse ke një provë, ke një dokument, mendon që një zyrtar ka shpërdoruar detyrën, merre letrën çoje në institucion”, tha ndër të tjera Taulant Balla. /tvklan.al