7 drejtues të Partisë Demokratike u vunë në pranga, ndërsa 16 persona do të procedohen në gjendje të lirë për incidentin të enjten në hyrje të Librazhdit ku tentuan t’i pengojnë eskortën e Kryeministrit duke e goditur me sende të forta e lëndë plasëse piroteknike.  Mes të arrestuarve është edhe ish- deputeti Aurel Bylkykbashi. Lulzim Basha i cilësoi arrestimet raprezalje politike që kanë për qëllim të ndalin opozitën dhe qytetarët nga beteja kundër regjimit kriminal të Edi Ramës.

Lulzim Basha Kryetar i PD: Ky është bilanc regjimesh represive dhe jo i një vendi demokratik europian. Është plani diabolik i një njeriu në panik total për humbjen e pushtetit. Këto akte represive për t’u mbyllur gojën dhe goditur kundërshtarët politikë thjesht po thellojnë me shpejtësi gropën, ku ka rënë Edi Rama.

Basha i bëri thirrje prokurorëve dhe uniformave blu të refuzojnë zbatimin e urdhrave politikë të eprorëve të tyre, duke akuzuar kryeprokuroren dhe ministrin e Brendshem se po perdoren politikisht

Lulzim Basha Kryetar i PD: Në këtë aventurë të rrezikshme, Edi Rama ndihmohet nga dy vegla të paskrupullta, Sandër Lleshi dhe Arta Marku, të cilët e kanë kthyer policinë dhe prokurorinë në instrumente të represionit politik në shërbim të pushtetit personal dhe të korruptuar të Edi Ramës.

Blutë e këtij qarku sqarojnë se të arrestuarit akuzohen për protestë të paligjshme, pengim të qarkullimit të mjeteve dhe pengim të subjekteve zgjedhore, bazuar në pamjet filmike dhe raportet e shërbimit.

Tv Klan