Një ditë pasi gjykata turke vendosi lënien në burg të dy ushtarëve grekë të kapur në territorin turk, ministri grek i Mbrojtjes tha në një takim të ministrave të Mbrojtjes së NATO-s në Bruksel, se kjo çështje duhet të shqetësojë edhe BE-në, duke kërkuar përfshirjen e Brukselit zyrtar.

Ministri Panos Kammenos tha se incidenti mund të ndikojë në marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Brukselit dhe Ankarasë, sikundër bie ndesh edhe me principin e bashkëpunimit në NATO, pjesë e së cilës janë Greqia dhe Turqia.

“Turqia është një anëtare e NATO-s dhe aleate e Greqisë në këtë aleancë dhe incidente të tilla duhet të zgjidhen paqësisht mes bisedimeve ndërmjet dy ushtrive.”

“Dy ushtarët grekë ishin në patrullë në një zonë që njihet të përdoret si shteg nga emigrantët pa dokumente dhe trafikantët”, tha Kamenos, duke iu referuar kapjes së dy ushtarëve grekë nga ana e Turqve ditën e enjte.

Kamenos tha se kjo çështje “e cila zakonisht duhej të zgjidhej me bisedime mes komandantëve, ka çuar në një udhë pa krye marrëdhënien me Turqinë pas refuzimit që dy ushtarët grekë të qëndronin në konsullatën helene deri në përfundim të gjyqit.”

Në media është spekuluar se Turqia mund të kërkojë shkëmbimin e ushtarëve grekë me ushtarët turq, të cilët një ditë pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi kanë kërkuar azil në Athinë. Refuzimi i Greqisë për ekstradimin e tyre ka zemëruar Ankaranë zyrtare duke shtuar tensionin mes dy vendeve, i cili gjithsesi ishte i lartë pas përplasjeve për ishujt në Egje.

/tvklan.al