Dy vëllezërit shqiptarë të kapur një ditë më parë në Belgjikë për trafik droge janë Dhimitër dhe Xhevahir Poti.

Ata ishin shpallur në kërkim nga autoritetet greke, që në bashkëpunim me zyrën e DEA –s amerikane në Athinë goditën një prej grupeve më të mëdha të trafikut të drogës nga Shqipëria në drejtim të Greqisë.

Lajmi për arrestimin e tyre konfirmohet zyrtarisht nga policia belge.

Gjatë arrestimit atyre iu sekuestruan 100 kg hashash, 19,000 euro dhe tre makina.

Vëllezërit Poti nuk figurojnë me precedent penal në Shqipëri , ndërsa në rrugë policore janë të identifikuar për aktivitet të paligjshëm në Greqi dhe Belgjikë.

Ata dyshohet se bashkë me Klemend Balilin, ish –drejtorin e transporteve të Sarandes, ishin krerët e rrjetit të narkotrafikut.

Për Balilin nuk ka mbërritur ende në Shqipëri ndonjë udhër arresti, ndërsa pala shqiptare ka dërguar letër porosi në Athine, për t’u njohur me veprat penale për të cilat ai thuhet se akuzohet në Greqi.

Policia nuk e gjeti 44-vjeçarin në shtëpinë e tij në Sarandë. Ai dyshohet se mund të ketë dalë jashtë Shqipërisë, në mënyre të paligjshme. Emri i tij nuk figuron në sistemin TIMS.

Dyshimet se Klemend Balili është drejtuesi i rrjetit të narkotrafikut, janë bërë shkak edhe për akuza politike në vend.

Ish-kryeministri Berisha e lidh atë me ish-deputetin Koço Kokëdhima, ndërsa ky i fundit tha se Balili është propozuar dhe emëruar në postin e drejtorit të Transporteve të Sarandes nga Lëvizja Socialiste për Integrim.

Tv Klan