Kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot Bordin e ri të Akreditimit të Arsimit të Lartë, i përbërë nga ekspertë shqiptarë dhe të huaj.

Gjatë takimit me anëtarët e këtij bordi, Kryeministri u shpreh se sfida e qeverisë së tij sot është që të ofrojnë alternativa për të rinjtë që të mos largohen jashtë vendit për të ndjekur studimet e larta. Ky është një fakt që sot është evident, tha Rama, që i bënë të rrinë “kokëulur”.

“Unë do dëshiroja që të isha shumë i sinqertë me ju, për të mos krijuar idenë që kontrasti mes situatës së 2013 dhe së sotmes është një arsye që ne si qeveri e konsiderojmë një arsye për të qenë të lumtur me punën tonë. Ne nuk jemi aspak të lumtur dhe situata sot në universitete nuk është aspak që na jep mundësinë të flemë të qetë. Problamtikat sot janë realisht serioze. Sfida më e madhe për ne është si të mund të arrijmë t’ju japim vajzave dhe djemve që studiojnë në shkollën e mesme një zgjedhje alternative me zgjedhjen për të ikur jashtë. Fakti që midis tyre janë plot ata që largohen drejt universiteteve të huaja, për shkak se këtu alternativa është larg së qeni tërheqëse është një fakt që ne na bën të jemi kokëulur sot në raport me ku duhet të jetë sistemi i arsimit të lartë”.

Në fjalën e tij, Rama solli në kujtesë Universitetet e paakredituara dhe të palicencuara që ishin aktive deri në vitin 2013. Rama tha se Universitetet shqiptare kanë qenë pjesë e një sistemi jo të rregullt, sikurse u shpreh “ishin të shthurura dhe sipas orekseve politike”.

“Bordi i ri është i përbërë nga një numër harmonik ekspertësh i nivelit të lartë shqiptarësh dhe të huaj dhe jam mirënjohës të gjithëve për gatishmërinë dhe patjetër edhe disponimin e pakursyer që na japin një dorë në këtë proces. Nuk e vë në diskutim që të paktën pjesa shqiptare e bordit të ri e njeh mirë problematikën e arsimit tonë të lartë. Është e familjarizuar me problemet, mangësitë edhe si rezultat i kontakteve që kanë me vendin por edhe si rezultat i kontakteve që kanë me vajza dhe djem që studionin në vendet ku japin mësim por edhe në Shqipëri që kanë ambicien të bëhen pjesë e hapësirave cilësore akademike. Edhe pjesa tjetër nuk do ta ketë të vështirë besoj që të hyjë në thelbin e këtyre problematikave dhe të kontribuojnë për të na dhënë mundësinë që ta çojmë në nivel tjetër arsimin tonë të lartë. Ne vijmë nga një rrugë shumë e përpjetë dhe pak vite më parë na u desh të përballeshim me një situatë ku rrjeti i universiteteve tona ishte i ç’thurrur dhe thurrur sipas orekseve politike dhe jashtë standardeve dhe procesi i akredimit ishte subjektiv, jo profesional. Rekordet që ne kemi arritur në të kundërtën janë vërtetë mbreslënëse. Për shembull duke pasur një akreditim opsional midis 60 universiteteve të vitit 2013 shumica nuk ishin fare të akredituara dhe shumica nuk kishin asnjë plan pune dhe asnjë përgatitje për t’u futur në proces akreditimit. Ka pasur regjistra kur shkruhej se X diploma janë tërhequr nga shefi dhe nuk dihet se kush i ka marrë. Pra dilomat ishin indulgjenca që u jepeshin personave që nuk kishin ardhur asnjëherë në universitet. Ndërhyrja ishte një kthesë shumë e fortë dhe sot çdo universitet që të mund të operojë duhet të akreditohet. Akredimti i univesiteteve nisi falë një bashkëpunimi që ka qenë kyç me agjencinë britanike të akreditimit, prania e të cilës i ka dhënë një besueshmëri”.

/tvklan.al