Në një lidhje në Skype nga Franca për programin “Rudina”, në TV Klan ishte akademiku dhe profesori Artan Fuga. Në lidhje me ndikimin që pritet te ketë kjo pandemi në shoqërinë tonë, pasi të mbarojë e gjithë kjo, akademiku u shpreh se njerëzit harrojnë dhe kanë aftësinë të largojnë eksperiencat e këqija. Sipas tij, njerëzimi vazhdon rrugën e vet me të njëjtin ritëm.

Artan Fuga: Unë sigurisht nuk mund të bëj dot parashikime të mëdha, ato shihen hap pas hapi. Sigurisht ndonjë ndryshim edhe mund të jetë, por unë jam mësuar me idenë, se e para njeriu harron, njerëzit harrojnë. Një kujtesë mund ta mbajë një brez, dy breza, por pastaj njeriu ka aftësinë që ta largojë pak atë eksperiencën e hidhur dhe e dyta thelbi i qënies njerëzore shfaqet gjithmonë. Dua të them që të tilla katastrofa, apo edhe më të rënda se këto dhe njerëzimi ka marrë prapë po atë ritëm, po prapë me të njëjtin solidaritet, po të njëjtin egoizëm, me të njëjtën dëshirë për pasuri, me të njëjtën moskokëçarje, shpeshherë ide se këto rreziqe nuk na ndodhin, me të njëjtin heroizëm. Kështu që unë nuk mendoj se ka një eksperiencë traumatike, që ndryshon tërë njerëzimin, jo njerëzimi vazhdon rrugën e vet dhe pak a shumë në filozofi thuhet se kryen ciklet e veta. Domethënë janë qytetërime që lindin, maturohen dhe pastaj vazhdojnë në mënyra të ndryshme./tvklan.al