ArtistetArtistët e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit i rikthehen protestës kundër nënshkrimit të kontratave individuale të propozuara nga Ministria e Kulturës. Përmes këtij peticioni të nënshkruar nga trupa e baletit, operas, orkestrës dhe korit, 120 artistët refuzojnë të nënshkruajnë kontratën e re pasi në asnjë nen të saj nuk i referohet kontratës kolektive si edhe është e parashikuar në ligj.

Artistët thonë se po kërcënohen me largim nga puna nga drejtuesit e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit që t’i firmosin kontratat. Por paralajmërojnë se do të hyjnë në grevë urie nëse këto kërcënime do të vijojnë dhe Ministria e Kulturës nuk heq dorë nga kontratat me kohë të kufizuar.

Mministria e Kulturës ia delegon përgjegjësitë drejtorit të TKOB, Ilir Kernit, edhe pse është ky dikaster ajo që i hartoi këto kontrata. Artistët thonë se kontratat shkelin nenin 171 të kodit të punës sipas të cilit:

Dispozitat e kontratës kolektive që lidhen me kushtet e punës, rregullojnë drejtpërdrejt kontratat individuale të punës të lidhura nga çdo punëdhënës që ka përfunduar këtë kontratë.

 Çdo dispozitë e kontratës individuale të punës që është më pak e favorshme për punëmarrësin se dispozita e kontratës kolektive, është e pavlefshme dhe zëvendësohet nga kjo dispozitë.

Po kështu, sipas artistëve këto kontrata janë edhe në kundërshtim me nenin 13 të ligjit për artin dhe kulturën, i cili sanksionon se:

Neni 13

Marrëdhëniet juridike të punës në institucionin publik qendror të artit dhe të kulturës rregullohen me Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë dhe me statutin e rregulloren e brendshme të institucionit.

Artistët i nisën protestat disa javë më parë kur Ministria e Kulturës u prezantoi kontratat e reja individuale të punës, fillimisht me afat 6 mujor. Protesta e detyroi ministrinë të zgjaste afatin deri në 1 vit, por arstitët e quajnë këtë një lëvizje për t’i larguar ata nga puna.

Tv Klan